Miratohen ndryshimet për vetingun në polici,kush ka 250 për qind më shumë pasuri se të ardhurat largohet

    0
    451

    Komisioni për Sigurinë miratoi ditën e djeshme ndryshimet në projektligjin për vetingun në polici. Gazeta e deklaroi pak ditë më parë se qeveria kishte kërkuar disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, reflektime të cilat janë marrë dje në konsideratë nga anëtarët e Komisionit të Sigurisë. Të pranishëm për të prezantuar ndryshimet e propozuara ishin ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, zëvendësministri i Brendshëm, Juljan Hodaj, Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu si edhe Drejtori i SHÇBA, Muhamet Rrumbullaku. Në fjalën e tij, ministri Lleshaj deklaroi se ndryshimi thelbësor që propozohet ka të bëjë me heqjen e limitit kohor, që sipas tij, ishte caktuar në mars të vitit 2020 dhe që konsiderohet si i pamundshëm për t’u realizuar. “Ndryshimet, pa hyrë në detaje, konsistojnë së pari në heqjen e limitit kohor, i cili ishte marsi i vitit 2020 për mbylljen e procesit. Pra, ne i japim kohë vetes për të vazhduar procesin e vetingut edhe më gjatë, në mënyrë që ai të realizohet gjerësisht”, deklaroi ai. Para propozimeve të qeverisë, në ligj parashikohej që vetingun në Policinë e Shtetit ta bënin tre institucione, të cilët ishin Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, Komisioni Qendror i Vlerësimit dhe Komisioni Vendor i Vlerësimit. Por ministri Lleshaj zbuloi se në projektligjin në fjalë Komisioni Qendror dhe Vendor i Vlerësimit, do të zëvendësohen nga SHÇBA, i cili do të bëjë vetingun për punonjësit e thjeshtë të Policisë së Shtetit. “Në ligj nuk bëhet asnjë ndryshim substancial. I vetmi ndryshim është heqja e limitit kohor të marsit 2020, që e bën ligjin praktikisht të pamundur për t’u zbatuar dhe, në vend të dy komisioneve të përkohshme, që do të ngriheshin me ligjin aktual, të vazhdojë SHÇBA të kryejë detyrën”, nënvizoi Lleshaj.

    Penalizimi për punonjësit

    I pranishëm në Komisionin e Sigurisë për të dhënë detaje rreth ndryshime për vetingun në polici, ishte edhe zëvendësministri i Brendshëm, Juljan Hodaj. Ky i fundit u pyet nga deputetët se a mund të ngelë një person gjatë procesit të vetingut një person, në rast se ai nuk justifikon shtëpinë edhe pse të ardhurat i ka nga emigracioni apo puna. Mirëpo, në përgjigjen e tij, zoti Hodaj garantoi deputetët se nuk do të ketë penalizime, duke theksuar se ata punonjës policie që do të ngelen gjatë procesit të vetingut, do penalizohen, në rast se pasuria e tyre është dy fish e gjysëm, krahasuar me të ardhurat në vite. “Jo penalizime se ka një shtëpi siç është fakti që ia ka dhënë paratë i biri nga emigracioni. Por në formular çdo punonjës policie duhet të deklarojnë të vërtetën. 200 përqind të të ardhurave nuk përjashtohet nga policia. Ndërkohë që po kaloj pasuria dy fish e gjysmë ose 250 për qind më shumë se të ardhuratkonsiderohet fshehje pasurie dhe për rrjedhojë do të ngelet në veting dhe do të përjashtohet nga Policia”, deklaroi Hodaj.

    Debate në komision

    Në Komisionin e Sigurisë nuk munguan edhe debatet mes deputetit Myslim Murrizi dhe ministrit Sandër Lleshaj. Shkak u bë ligji i më parshim i miratuar nga ish-ministri Fatmir Xhafaj. Deputeti Murrizi deklaroi se nuk është nevoja të bëhet vetingu në polici, pasi sipas tij, nëse hiqen nga puna 530 ish-spiunë të Sigurimit të Shtetit dhe rreth 130 punonjës policie që dolën në përgjime si të implikuar me drogë, SHÇBA-ja e ka të lehtë të bëjë vetingun. “SHÇBA është përdorur si kamzhik. Hiqni 530 sigurimsa dhe 130 punonjës të përfshirë në hashash. Kështu pastrohet policia”, deklaroi ai. Ndërsa përfaqësuesit e ministrisë garantuan se gjatë vetingut do bashkëpunojmë me Autoritetin e Dosjeve për të zbardhur këto pretendime. Pas pyetjeve dhe diskutimeve nga deputetët , projektligji u miratua në tërësi.

    Rigels Seliman

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here