Gjykata për Krime të Rënda kalon për gjykim dosjen “Habilaj”. Mesditën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda është zhvilluar seanca paraprake ndaj Moisi Habilajt dhe tetë personave të tjerë. Në seancën e djeshme e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, togat e zeza të krimeve të rënda kanë vendosën ta dërgojnë për gjykim grupin e “Habiljave”. Prokuroria për Krime të Rënda mbylli hetimet ndaj grupit të “Habilajve”, rreth dy muaj më parë dhe dërgoi dosjen në gjykatë. Në seancën e djeshme pasi palët u njohën me aktet e dosjes ndaj këtij grupi kriminal vendosi që të çojë si të pandehur 9 persona. Më konkretisht gjykata dërgoi zyrtarisht si të pandehur, Moisi Habilajn; Florjan Habilajn; Armando Koçerrin; Fatmir Minajn; Nezar Seitin; Sabaudin Çelën; Tigrens Mezurajn, Maridjan Sulajn dhe Armando Sulajn. Ata akuzohen për “Trafik ndërkombëtar të narkotikëve”, “Grup të strukturuar kriminal” dhe “Kultivim të narkotikëve”. Gjykata pranoi të dërgoi dosjen për gjykim pasi dy prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, kanë udhëtuar drejt Italisë, ku dhe i kanë njoftuar akuzat të pandehurve që janë duke u gjykuar në vendin fqinj. Ndërkohë në vendin tonë i arrestuar si pjesë e këtij grupi është vetëm Armando Koçerri. Ndërkohë, kujtojmë se në sajë të veprimtarisë kriminale të këtij grupi nisën hetimet dhe ndaj ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit. Seanca paraprake ndaj Tahirit do të zhvillohet nesër, ku gjykata do të vendosë nëse do ta dërgojë si të pandehur përpara togave të zeza ish ministrin apo jo. Ndaj tij prokuroria ka ngritur dy akuza atë të “grupit të “strukturuar kriminal” dhe trafikim i lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”. Moisi Habilaj dhe anëtarët e tjerë të grupit kriminal, janë mbështetur, nga punonjës policie dhe zyrtarë të lartë të policisë së shtetit ku dyshohet edhe ish Ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, Saimir Tahiri, të cilët kanë ndikuar me mbështetje në mos zbulimin e tyre gjatë kohës që ato kanë ushtruar aktivitetin kriminal të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të Italisë”, pretendon prokuroria.
Provat
Ndër provat që prokuroria ka paraqitur në gjykatë, janë disa fashikuj përgjimesh, procesverbalet e disa parcelave të kultivuara me drogë dhe të asgjësuara nga policia, si dhe ngarkesa prej 4 ton drogë të sekuestruar në fshatin Babicë. Si prova janë përdorur edhe disa përgjime të autoriteteve italiane, ku sipas tyre, i konsideruari si drejtuesi i grupit, Moisi Habilaj, flet me një shtetas italian, në lidhje me një rast të trafikut me peshkarexhën “Fatima”, ku ndër të tjera, ai i përmend faktin se një polic i ka shpjeguar se nuk duhet t’i afrohen ujërave greke dhe të presin atje. Kujtojmë se në dosjen në ish-ministrit Tahiri, peshkarexha “Fatima” është përmendur dhe për të argumentohej fakti se është futur në territorin shqiptar dhe nuk është kapur nga radarët, kjo sipas tyre, sepse grupi në fjalë ndihmohej nga policia. “Ky mjet ka qenë nën përgjim ambiental nga autoritetet italiane dhe në datën 6 maj të 2015-ës, ka hyrë në mesnatë në ujërat e territorit shqiptar. Gjatë këtij momenti është identifikuar nga një prej radarëve që ishte harruar ndezur, sepse tre të tjerët kanë rezultuar të fikur. Pasi është dhënë sinjali për hyrjen e këtij mjeti, i cili rezulton të ketë kaluar vetëm pak metra në ujërat greke, policia kufitare ka bërë kontrollet dhe për të identifikuar se çfarë ishte ky mjet, ka shkuar një grup me në krye personin nën hetim në të njëjtën dosje, Sokol Boden. Ky i fundit, i është larguar drejtësisë, pasi është në masë sigurimi “Arrest në burg”. Pas kontrollit, është bërë identifikimi i mjetit, por nga ky grup, është thënë se ishte një tjetër peshkarexhë që kishte dalë më herët në lundrim dhe tashmë ishte kthyer, kështu ka kaluar pa u identifikuar ky mjet lundrues i cili është mbushur me kanabis nga vetë Moisi Habilaj”, ka thënë prokuroria disa kohë më parë.
Elvis Myrta









































