Ekzekutohet tek dera e shtëpisë 26-vjeçari Jurgen Kurti, i njohur si menaxheri i VIP-ave. Ai u qëllua për vdekje disa herë me pistoletë nga dy persona, të maskuar të cilët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me motor duke përfituar edhe nga errësira. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e sotme rreth orës 22:20 minuta në rrugën “Zef Jubani” pranë stadiumit ‘Selman Stërmasi’. Kurti sapo kishte zbritur nga makina e tij dhe po kalonte trotuarin për t’u ngjitur në banesë kur ndaj tij u qëllua duke e lënë vdekur në vend. Autorët duket se e kishin ndjekur duke kontrolluar të gjitha lëvizjet dhe në fund i bënë pritë poshtë banesës duke e vrarë.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së bizneseve pranë vendit të ngjarjes ku u ekzekutua Jurgen Kurti, ndërsa ka ngritur pika të shumta postblloku në Tiranë për të arrestuar autorët që nga të dhënat e para mësohet se janë larguar me shpejtësi me një motor pas vrasjes.

