CIA ka dhënë detaje mbi mënyrën se si UDB jugosllave ndikonte në regjimin komunist shqiptar. Aty tregohet se si fillimisht shqiptarët e arratisur burgoseshin e keqtrajtoheshin atje, ndërsa më pas ata trajtoheshin mirë. Më të favorizuar ishin ata që pranonin të punonin për UDB.
Maj 1952
Jugosllavi/Shqipëri
Prej rreth një viti tashmë refugjatët shqiptarë në Jugosllavi po marrin trajtim dhe asistencë më të mirë. Më parë ata ishin subjekt i torturave dhe burgosjeve të njëjta me ato që njerëzit vuajnë nën regjimin e Enver Hoxhës, ndërsa tani të motivuar nga rrethanat politike dhe ekonomike autoritetet jugosllave kanë ndryshuar politika e tyre dhe po i trajtojnë refugjatët me konsideratë. Të sapoardhurve menjëherë u jepen rroba dhe banesë. Çdo refugjat merr 3000 dinarë dhe një kartë racionesh ushqimi në restorant, për të cilën ai mund të paguajë paraprakisht 1500 dinarë në muaj. Kuponët për veshje shpërndahen sipas besimit që UDB ka mbi secilin individ (Kohët e fundit ka raste kur kuponët e veshjeve eliminohen dhe në vend të tyre krijohet një listë me individë që u nevojiten veshje të caktuara, si për shembull pallto, këpucë etj.) disa individë marrin shpërblime shtesë për aktivitete politike, që arrijnë në 400 dinarë në muaj. Agjentëve shqiptarë që punojnë për UDB u jepen shpërblime të fshehta për shërbimet e fshehta që ngarkohen të kryejnë, dhe kjo zakonisht reflektohet në rrobat e tyre që janë më të mira. Nëse një refugjat është teknik ose specialist dhe gjen punë, ai merr rrogën përveç asistencës si refugjat. Një nga këto raste është dentisti H. Bekteshi dhe gruaja e tij. Në rast sëmundjeje refugjatët me profesion marrin kujdes mjekësor. Qeveria jugosllave ndihmon të gjithë ata që kanë ndihmuar miqtë ose familjarët për t’u arratisur nga Shqipëria. Që prej dy muajsh refugjatët janë të lirë të udhëtojnë për të vizituar bashkatdhetarët e tyre. Disa prej tyre jetojnë në hotele, të tjerë në shtëpi private, ish-banorët e të cilave janë nxjerrë janë për të akomoduar refugjatët. Një pjesë e refugjatëve janë punësuar në miniera. Vlen të theksohet se një refugjat shqiptar me mesatarisht një asistencë prej 3000-4000 dinarë në muaj. Kjo asistencë nuk i mbulon kostot e jetesës por është aq sa merr një punëtor i zakonshëm për tetë orë në ditë. Deri kohët e fundit refugjatëve nuk u jepej asnjë asistencë pasi ata konsideroheshin të mbështetur me asistencë nga grupe si ai i kolonel Çunit apo Gjon Gjinajt.
Shtator 1952
Deklaratë e Cedo Mijoviç
Mijoviç deklaron se është autorizuar nga eprorët të mbrojë se politika e Jugosllavisë është ajo e ruajtjes së gjendjes aktuale me Shqipërinë dhe Ballkanin, dhe se cilido që tentonte të prishte balancat kufitare ne Ballkan do të haste në kundërmasat ushtarake të Beogradit. Mijoviç thotë më tej se pavarësia dhe integriteti territorial i Shqipërisë do të mbrohen nga Jugosllavia kundër çdo kërcënimi. Ky parim, thekson ai është qartësuar në një artikull zyrtar në 1951 të të përditshmes së Beogradit Borba. Mijoviç gjithashtu përfitoi nga rasti për të përsëritur propozimin e Randolf Çërçil që Shqipëria të ndahet mes Greqisë dhe Jugosllavisë, të cilit Tito iu përgjigj se Jugosllavia i gëzohet pavarësisë dhe integritetit të saj territorial por dëshiron të kërkojë respekt për të gjithë popujt, të madhej e të vegjël. Prandaj vendi i tij në asnjë mënyrë nuk do të përfshihej në eliminimin e vendit të vogël, bujar e fisnik të Shqipërisë. Fakti që shqiptarë të të gjitha feve, rajoneve e bindjeve politike marrin pjesë në Komitetin e refugjatëve të Prizrenit, është një provë e sigurt se kjo organizatë është e motivuar të realizojë qëllimet jugosllave për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar. Shqipëria sot është në një situatë të vështirë, pasi nuk ka qenë kurrë kaq e izoluar dhe pa asnjë vend mik. As Rusia sovjetike dhe as vendet satelite nuk duan të bëjnë pakte asistence të ndërsjellë me të. Ajo gjithashtu nuk ka asnjë garanci nga vendet Perëndimore. I vetmi traktat që ajo kishte me Jugosllavinë u prish nga Hoxha në 1948. Por sot vetëm, Jugosllavia po mbron të drejtat e Shqipërisë, megjithëse nuk ka ndërmend të ndërhyjë në çështjet e brendshme. Jugosllavia i ka organizuar refugjatët shqiptarë mbi bazën sa më të gjerë të mundshme dhe kjo duket qartë në statutin e Komitetit të Prizrenit. Mijoviç thotë se në një nga rastet, po punonte në raportin mbi çështjet shqiptare për partinë komuniste, kur Milovan Xhilas tha se shqiptarët duhet të lihen të lirë të organizohen sipas interesave të tyre patriotike, pa marrë parasysh bindjet prej kohës së luftës. Patriotët shqiptarë duhet të binden se kanë mbështetjen dhe miqësinë tonë të plotë, tha Xhilas. Prandaj refugjatët shqiptarë në Jugosllavi janë të lirë të shkruajnë e të flasin si të dëshirojnë. Mijoviç përmendi miqësinë që kishte me Ndue Pjetër Gjonmarkaj dhe Lutfi Spahiu, të cilët i respektonte për patriotizmin dhe sinqeritetin e tyre, megjithëse nuk ishin komunistë. Ata nuk kishin nevojë të fshihnin idetë apo ndjenjat e tyre politike në Jugosllavi. Mijoviç tha se opinioni i tij personal ishte se BRSS nuk do të hynte në luftë për Shqipërinë, e cila kishte një vlerë të madhe strategjike si një pikë mesdhetare qendrore, por me daljen e Jugosllavisë nga blloku kishte mbetur e izoluar. Ai tha se çdo tentativë tjetër për çlirimin e Shqipërisë, përveçse me anë të Komitetit të Prizrenit do të ishte shumë e kushtueshme dhe nuk do të arrinte rezultatet e dëshiruara. Është detyra e çdo patrioti të japë mbështetejen e tij për Komitetin e Prizrenit. Për arsye të vuajtjeve e sakrificave të pësuara në terren, udhëheqësit e Ballit Kombëtar Indipendent kanë fituar të drejtën që zëri i tyre të dëgjohet në arenën politike shqiptare. Në lidhje me komentin e tij se Greqia preferon ndarjen e Shqipërisë, Mijoviç tha se është shumë më tepër e këshillueshme të tolerohet regjimi i Hoxhës sesa të pranohet ndarja e Shqipërisë.
Nëntor 1953
Raport zbulimi grupi i infiltruar FIG
Më poshtë kemi pikat e inteligjencës pozitive të mbledhura nga grupi “Fig Tree” në misionin e fundit. E kuptojmë se informacioni i mbledhur është i vogël por kjo vjen pjesërisht nga fakti se grupi ka ndjekur me saktësi instruksionet dhe ka shkatërruar shumicën e shënimeve të tyre kur ranë në kurthin e forcave komuniste. Raporti i tyre do të ndiqet nga dy të tjerë ku do të përshkruhen operacionet dhe rrugëtimi i tyre, gracka dhe dalja prej saj.
Zbulimet e grupit
Në zonat malore mbi Boboshticë janë hapur hendeqe të reja nga forcat kufitare rreth 500 metra të gjata përballë kufirit grek, në formë zig-zag. Në disa hendeqe kishte poste për 10-12 mitraloza, të ngritura rreth 2 metra lartësi. Grupi vlerësonte se në çdo pozicion mund të qëndronin 5-6 ushtarë dhe ato ishin të përziera mirë me terrenin duke mos u dalluar kollaj. Më 10 shtator grupi vërejti një kompani ushtarësh të vendosur në 20-25 tenda. Grupi tha se kur u kthye në këtë zonë më 19 tetor, nuk kishte më as tenda e as ushtarë. Komandant i divizionit të Korçës, që njihet si divizioni i 3-të, është Skënder Malindi. Për të qartësuar këtë informacion duhet të themi se divizionet ushtarake shpeshherë ndryshojnë numrat e tyre, sipas atyre që thonë autoritetet “për të ngatërruar armikun”. Me anë të kontakteve me Niazi Rapushin, ish-rreshter i regjimentit të Gjirokastrës, i cili është liruar nga detyra në mars 1953, grupi Fig ka marrë informacionet e mëposhtme: Komandant i divizionit është Vaskë Gjini, komisar Veso Ismaili dhe major Fete Ruçi. 4 regjimentet e divizionit janë regjimenti i 18-të i stacionuar në Delvinë, regjimenti i 7-të në Gjirokastër dhe regjimenti i 5-të në Përmet. Në kohën e shkarkimit të Rapushit, komandant ishte kapiteni Nazif Hoxha, kapiteni Zani Asqeriu dhe Teki Hasan Luarasi që besohet se janë nacionalistë besnikë.
Zbulimi
Rrapushi ka qenë prezent kur grupi ra në kurthin e komunistëve. Në lidhje me këtë ai ka ofruar dhe informacionet e mëposhtme: Grupi u rrethua në Kopaçe nga anëtarët e Sigurimit, policë dhe civilë të armatosur. Sigurimi njoftoi regjimentin e 18-të për prezencën e “reaksionarëve” dhe kërkoi ndihmën e tyre. Rrapushi thotë se beteja zgjati rreth 5 orë. Kur grupi Olive humbi pozicionin e tij, ata kishin gjetur të vdekur Riza Abazin dhe Fido Veliu të cilët kishin kryer vetëvrasje për të mos rënë në dorë të komunistëve. Mehmet Hoxha, anëtari i katërt i grupit, ishte plagosur, por nuk ishte në pozicion me tre të tjerët. Sipas burimeve, Hoxha deklaroi se grupit i ishin mbaruar municionet dhe ishte bërë e qartë se nuk kishin rrugëdalje, prandaj vendosi të largohej në drejtim të kufirit (Hoxha u gjet në njëfarë distance nga fushëbeteja dhe kishte humbur ndjenjat nga humbja e gjakut). Burimi deklaron më tej se ishte prezent kur një pilot i forcave ajrore greke uli avionin e tij në një lëndinë pranë Delvinës vitin e kaluar. Në raportin e tij për sigurimin komunist piloti thotë se ishin duke bërë manovra në zonën Kifisia dhe në ditën e tretë u detyrua të arratisej pasi inteligjenca greke ishte informuar për aktivitetet e tij komuniste (Ky informacion i ka kaluar inteligjencës greke e cila vazhdon hetimet mbi incidentin).
Operacioni
Ndërsa informacioni i mëposhtëm është dhënë nga Sefer Belkteshi nga Tresova: Më 1 tetor 22 kamionë hynë në Zvarisht dhe shkarkuan municione. Më 7 tetor major Ali Lalai, kapiten Mehmet Rifati dhe 5 oficerë të tjerë të paidentifikuar erdhën për inspektim në Tresovë dhe Zvarisht. Aktualisht zona rreth Zvarishtit ruhet nga e patrulla lëvizëse. Në fillim të verës një këshilltar rus është caktuar për çdo divizion. Sipas zhurmave thuhet se më 56 tetor një grup oficerësh shqiptarë është kthyer nga Rusia ku kanë kryer trajnime speciale. Grupi Fig raporton se Viet Agolli nga Mocani i ka informuar se djali i tij, kapiten Viet Muslim Agolli, thotë se ushtria merr shumë informacione nga Italia për aktivitetet e grupeve në Shqipëri.
Burgu i Korçës
Një burg i madh në Korçë është mbushur me njerëz që quhen nga autoritetet “Armiq të Popullit”. Burgu ndodhet në prefekturën e re dhe aktualisht mban 650 të burgosur dhe ruhet nga rreth 50 policë. Drejtor i burgut është Bektash Melçani, i cili është nacionalist dhe nganjëherë ka lejuar që të burgosurit të dëgjojnë stacionet e huaja në radio madje dhe transmetimet tona klandestine. I dyti në komandë është oficeri Qerim Gjergjeviç. Burimi deklaron se se kur dëgjohen avionë të huaj në zonë, pasat e sigurisë rriten edhe në burg, nga frika e shpërthimit të trazirave (burimi nuk specifikon se çfarë masash merren). I vetmi informacion që kemi mbi burgun e qytetit të Korçës është se këtu shërbejnë dënimet persona që janë dënuar me 5 vjet ose më pak. Të burgosurit në përgjithësi janë ordinerë, si njerëz që nuk kanë arritur të përmbushin taksat apo kuotat e prodhimit.