Ekspozita “Përgjithmonë kanavac” u çel për publikun me punime të piktorit të njohur Adrian Devolli. Ekspozita prezantohet në galerinë e artit “Kalo” dhe në fokus të punimeve të tij në kanavacë qëndron figura njerëzore. Mjeshtri Adrian Devolli shprehet mes të tjerave se pas pesë vitesh vjen para publikut me një ekspozitë personale me veprat e tij. Ndërsa ka marrë pjesë me pikturat e tij në ekspozita që janë hapur me grupe piktorësh, këtë pranverë ai prezanton 20 tablo në pikturë në dimensione të mëdha në një ekspozitë personale. Piktori i njohur shprehet se këtë herë në këtë ekspozitë është një përmbledhje e punimeve të tij, që janë realizuar në një hark kohor prej pesë vitesh. “Ekspozitën time personale e kam titulluar “Përgjithmonë kanavac” dhe janë 20 tablo pikture. Unë hap ekspozita personale njëherë në 4 apo 5 vjet. Para 5 vitesh kam hapur një ekspozitë personale në Tiranë dhe Vlorë dhe vij sërish me veprat e mia para publikut. Në këtë ekspozitë janë tablo pikture përgjithësisht me dimensione të mëdha”, tregon piktori i njohur Adrian Devolli. Veprat e artit të piktorit Adrian Devolli karakterizohen nga një analizë e thellë dhe origjinale e figurës njerëzore (duke përfshirë nudo), peizazhe, qyteteve, të gjitha të pikturuara në mënyrë bashkëkohore. Ekspozita “Forever Canvas” është hapur për publikun në galerinë e artit “Kalo”, por si autor i saj Adrian Devolli tregon se në tablotë e tij përkthehen dhe emocionet e tij personale. “Gjuha ime e pikturës është që unë e marr motivin real, por ky motiv që e ka fillimin real fillon dhe transformohet dhe merr një gjuhë që nëpërmjet subkoshiencës transformohet në marrëdhënie të formës dhe të ngjyrës. Pra është një lloj transkriptimi i formës reale, e cila përkthehet në tablo në një emocion timin personal, që krijon marrëdhënia që është sipërfaqja, raporti i volumeve dhe i ngjyrës”, tregon piktori Devolli.
Puna me pikturën
Në reagimin e tij piktori vijon kjo ekspozitë duhej të ishte shoqëruar dhe me një katalog, por për shkak të mundësive të kufizuara financiare nuk u realizua. “Të hapësh sot një ekspozitë për ta realizuar si duhet sigurisht që është e vështirë. Kërkon financime, dhe nuk arrita dot as të bëj një katalog. Unë aplikova në Bashkinë e Tiranës por nuk mora asnjë përgjigje”, tregon piktori. Në aktivitetin e tij artistik piktori Adrian Devolli ka marrë për herë të parë pjesë në një ekspozitë në moshën 24 vjeçare për të vijuar ndër vite prezantimet me veprat e tij. Ai tregon se para ’90 ka marrë pjesë në ekspozita kombëtare, ekspozita e Tiranës apo dhe ajo e pranverës. “Kujtoj ekspozitën kombëtare “Nëntori” atë kohë, ku nga 1500 veta pranoheshin 50. Kam fituar dhe çmimin e parë në pikturë në 1989. Por jeta e artistit sot është mjaft e vështirë për krijimtarinë artistike, pasioni na mban gjallë”, tregon ai. Galeria “Kalo” e vlerëson këtë projekt të ekspozitës personale të piktorit Adrian Devollit, ku ai në punët e tij shpreh dashurinë e pafundme për artin në kanavacë. Por dhe për piktorin galeria “Kalo” ishte këtë herë zgjedhja e tij, sepse kushtet e ekspozimit janë të mira. “Te galeria “Kalo” këtë herë ekspozita ime sepse kjo në raport me të tjerat që janë në Tiranë ka bërë një investim që është normal sa i takon ndriçimit, që këtu është profesional. Te vendet e tjera se kanë këtë dhe kurimi i dritës është domosdoshmëri absolute në artet pamore. Galeria “Kalo” e ka, por dhe “Mezuraj” po ashtu, por që për momentin nuk funksion, ndërsa të tjerat se kanë këtë ndriçim. Unë jam marr një ditë e gjysmë vetëm me rregullimin e fluksit të dritës. Kjo është dhe arsyeja që unë e hap këtë ekspozitë timen personale në këtë galeri”, tregon piktori. Kjo ekspozitë do të qëndrojë për publikun deri më datë 31 mars. Adrian Devolli është një piktor i mirënjohur dhe një nga artistët e përfshirë në restaurimin e veprave të artit. I lindur në vitin 1955 u diplomua nga Akademia e Arteve (tani Universiteti i Arteve) në 1979. Ai është autor i qindra veprave artistike, që janë ekspozuar gjatë viteve në grup ose solo.
Nga Julia Vrapi