Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nxjerrë së fundmi një udhëzim të ri, në të cilin përcaktohen procedurat që do të zbatohen nga Avokati i Tatimpaguesve në mbrojtje të interesave të bizneseve, si dhe procedurat që duhet të ndiqen nga këta të fundit për të përfituar mbrojtjen e të drejtave të tyre nga Avokati i Tatimpaguesve. Avokati i Tatimpaguesve ka për mision të mbrojë interesat e tatimpaguesve në marrëdhëniet me organet tatimore. Ky mision realizohet kryesisht nëpërmjet kompetencës së tij për të investiguar të gjitha kërkesat e tatimpaguesve, që përmbajnë probleme të administrimit të tatimeve, si vonesa administrative të paarsyeshme, gabime të zyrtarëve tatimorë, që nuk janë zgjidhur në mënyrën e duhur pas paraqitjes nga tatimpaguesi, mosrespektimi i procedurave tatimore apo shkelje të procedurave tatimore nga zyrtarët tatimorë. Ai ka të drejtë të urdhërojë kryerjen e të gjitha verifikimeve apo hetimeve në drejtoritë rajonale tatimore dhe/ose drejtoritë funksionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, si dhe nëpërmjet kompetencave këshillimore tek autoritetet kompetente për zgjidhjen e problemeve të tatimpaguesve. Çdo vendim për të ndërmarrë masat korrigjuese i takojnë administratës tatimore dhe jo Avokatit të Tatimpaguesve. Avokati i Tatimpaguesve, në rast se nuk gjen zgjidhje për një çështje të caktuar, gëzon të drejtën ta ngrejë nivelin e verifikimit dhe të investigimit deri në nivelin më të lartë të drejtimit të administratës tatimore, që është Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve.
Ankesa
Çdo tatimpagues, grup tatimpaguesish, shoqata apo institucione që mbrojnë interesat e tatimpaguesve, pretendojnë për shkelje të të drejtave dhe të interesave të të ligjshme, qofshin këto individuale apo të përbashkëta të tatimpaguesit apo tatimpaguesve, me veprime të paligjshme apo të parregullta të administratës tatimore qendrore ose me mosveprime të saj, kanë të drejtë të ankohen ose të njoftojnë Avokatin e Tatimpaguesve dhe të kërkojnë ndërhyrjen e tij për rregullimin e situatës, në lidhje me një të drejtë të shkelur apo të mohuar. E drejta për t’u ankuar tek Avokati i Tatimpaguesve lind vetëm pasi të jetë konsumuar një herë me shkrim e drejta për t’u ankuar te drejtoria rajonale përkatëse apo drejtoritë funksionale brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilat kanë nën juridiksion shqyrtimin/ administrimin e procedurës së kontestuar nga ankimuesi. 4.4 Nëse tatimpaguesi ankues/kërkues nuk ka marrë përgjigje apo zgjidhje nga hallka e parë brenda 30 ditëve nga dita e depozitimit të shkresës kërkuese, mund t’i kërkojë apo të njoftojë me shkrim Avokatin e Tatimpaguesve, në lidhje me procedurën të cilën konteston dhe pretendon që shkel të drejtat apo interesat e tij.
Shqyrtimi i ankesës
Avokati i Tatimpaguesve ka autoritetin të nisë me vetiniciativë një çështje, për raste të veçanta kur ato bëhen publike, apo kur vihet në dijeni se ka ndodhur një shkelje, e cila është në objektin e punës së tij. Në rastet kur ankesa apo kërkesa kërkon zhvillimin e një verifikimi apo hetimi nga një drejtori tatimore rajonale, Avokati i Tatimpaguesve, jo më vonë se 15 ditë nga data e regjistrimit të ankesës, i dërgon drejtorisë përkatëse rajonale tatimore një shkresë (urdhër për rishikim praktike), në të cilën jepen të dhëna të sakta identifikuese të ankimuesit, përfshirë problemet që duhet të verifikohen apo zgjidhen, duke vënë dhe afate konkrete për kryerjen e verifikimeve apo zgjidhjen e problemeve. Drejtoria rajonale tatimore duhet të kryejë hetimet e nevojshme dhe të njoftojë me shkrim Drejtorinë e Avokatit të Tatimpaguesit, jo më vonë se 30 ditë nga data e marrjes së shkresës (urdhrit) nga Drejtoria e Avokatit të Tatimpaguesit. Në rast se Avokati i Tatimpaguesve dhe një drejtor rajonal nuk bien dakord për zgjidhjen e duhur të një “Urdhri rishikimi praktike”, Avokati i Tatimpaguesve dhe drejtori rajonal do t’ia paraqesin rastin zëvendësdrejtorit të përgjithshëm që mbulon drejtorinë rajonale në fjalë. Në rast se Avokati i Tatimpaguesve dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm territorial përkatës nuk bien dakord për zgjidhjen e duhur të një “Urdhri rishikimi praktike”, rasti i paraqitet Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, së bashku me të gjitha provat, faktet dhe qëndrimet gjatë shqyrtimit të rastit të ankimuar. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, pasi shqyrton çështjen e ankimuar, si dhe dokumentacionin shoqërues, si dhe qëndrimin e shprehur nga Avokati i Tatimpaguesve, Zëvendësdrejtori i përgjithshëm dhe drejtoria rajonale tatimore, shprehet zyrtarisht me qëndrimin e tij mbi ankesën a tatimpaguesit. Në rast se çështja e ankimuar nuk merr zgjidhje nga administrata tatimore, por për zgjidhjen e saj është e nevojshme shqyrtimi në rrugë gjyqësore, Avokati i Tatimpaguesve i rekomandon tatimpaguesit të ndjekë rrugën e zgjidhjes nëpërmjet ankimimit në gjykatën administrative.