Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pavarësisht ultimatumit të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, duket se nuk do të ndalet derisa numri i deputetëve në Parlament të shkojë 140. Në Kukës dhe në qytete të tjera, kandidatët e PD në listat pasardhëse kanë filluar mbarojnë dhe kjo ka krijuar një precedent të panjohur. Kodi Zgjedhor e parashikon vetëm kur kemi koalicione, teksa mandatet e lëna bosh i kalojnë partive aleate. Por në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, të gjitha partitë hynë të vetme në zgjedhje dhe kjo e ka vënë KQZ në dilemë. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba bëri me dije se tagrin në rastin kur lista e kandidatëve kur lista shteron, sipas tij, e ka vetëm KQZ për ta zgjidhur. Në këtë kontekst, Biba theksoi se kjo çështje do të interpretohet nga komisioni, pasi ligji në kësisoj rastesh është “memec”. “Kjo është pyetje shumë specifike, pasi kjo do të jetë vendimmarrja e komisionit. Normalisht që kjo do jetë vendimmarrja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por ajo që mund të them unë, është që në pamje të parë ligji hesht. Pra, ligji, ose më saktë pushteti legjislativ ka rregulluar këtë marrëdhënie duke pasur parasysh vetëm pjesëmarrjen në zgjedhje përmes koalicionesh. Dhe që në këtë pikë regjistrimi i partive individualisht sikundër ndodhi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, ligji nuk shkon përtej listës së vetë partisë. Ç’ka do të thotë se nuk e rregullon se kush i merr mandatet vijuese në rast se shteron lista e partisë. Kështu që, qysh nga ky moment e tutje është çështje interpretimi dhe nuk di ç’të them më tej, pasi besoj se kjo do jetë vendimmarrja e të gjithë aktorëve në KQZ, ku ne do të na duhet të ofrojmë interpretime dhe interpretimet pastaj janë nga më të ndryshmet”, deklaroi ai.
Disa nga format e interpretimit
Nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve më tej zbuloi edhe disa nga format e interpretimit që mund të përdorë KQZ për t’i dhënë zgjidhje ngërçit të krijuar, sa i takon shterimit të listave të kandidatëve. Gjatë prononcimit për gazetën, Biba bëri me dije se ekzistojnë katër mënyrë në fushën e të drejtës juridiko-kushtetuese që do të sqarojnë situatën. “Interpretimet janë pjesë e formimeve tona e qasjeve filozofike, se pse ky është interpretimi. Ç’ka do të thotë se aktualisht janë të pakën 4 interpretime që janë standarde në jurisprudencë. Ndërkohë që në fakt janë edhe nja 4 interpretime të tjerr, që në total e çojnë numrin në 8 lloj interpretimesh”, u shpreh juristi Biba.
Zgjedhjet e pjesshme
Nënkryetari i KQZ, Denar Biba u ndal edhe tek ideja e hedhur së fundmi për të shkuar në zgjedhje të pjesshme parlamentare, në rast se shteron lista e kandidatëve dhe nuk plotësohet numri i deputetëve në Parlament. Gjatë prononcimit për gazetën “SOT”, Biba deklaroi se KQZ nuk ka tagër për një vendim të tillë, ndërsa theksoi se këtë çështje e zgjidh vetëm pakti politik mes PD-PS dhe LSI. “Kjo është çështje kryekëput politike dhe nuk ka lidhje me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Këtu duhet të hyjnë në lojë Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim që të mblidhen të trija bashkë dhe t’i japin zgjidhje dhe drejtim kësaj çështje. Unë e kam thënë edhe më parë, që ne jemi burokratë të ligjit, sidomos në nivele të tilla as na takon dhe as e marrim dot si vendimmarrje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, nënvizoi nënkryetari i KQZ, Denar Biba për gazetën “SOT”.
Rigels Seliman