Ditën e djeshme kreu i grupit parlamentar Taulant Balla dhe deputetja Blerina Gjylameti kanë zhvilluar një takim me deputetët francezë Jacques Maire dhe Liliana Tanguy, në kuadër të forcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve. Pas takimit në një prononcim për mediat, Balla tha se Franca është një prej vendeve më të rëndësishme të BE-së dhe mbështet fuqishëm procesin e zgjerimit dhe anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Ai u shpreh se Shqipëria mbetet një destinacion i rëndësishëm për francezët, jo vetëm në sektorin e industrisë por edhe në turizëm. “Kishim sot në Kuvendin e Shqipërisë një delegacion të nderuar të Komisionit për Çështjet evropiane dhe të Komisionit të Politikës së Jashtëm të Asamblesë Parlamentare franceze. Franca është një prej vendeve më të rëndësishme të BE-së dhe që mbështet fuqishëm procesin e zgjerimit dhe anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Jam shumë i sigurtë që në qershor Shqipëria do ti hapi negociatat me BE, sikurse jam shumë i sigurtë në vijimin e një bashkëpunimi me parlamentin francez dhe se Shqipëria është një destinacion i rëndësishëm për kompanitë francezë, jo vetëm në sektorin e industrisë. Ne kemi shumë për të mësuar nga sipërmarrjet franceze përsa i përket turizmit”, tha Balla. Deputeti franceze Jacques Maire foli lidhur me situatën politike në vend teksa theksoi faktin se gjatë vizitës së tij në Shqipëri ishte takuar edhe me përfaqësues të opozitës. Ai deklaroi se nuk do të ndërhyjë për zgjidhjen e ngërçit politik, duke shtuar se është e nevojshme konsensusi i opinionit publik. “Gjatë këtij qëndrimi në Shqipëri patëm takime me shumicën dhe opozitën, gjë që është më se e kuptueshme. Kemi rastin të kuptojmë pozicionin e secilës prej palëve. Sot, ne nuk dëshirojmë të ndërhyjmë në debatin e brendshëm shqiptar, por mesazhi politik që ne duam të përcjellim është se për të qenë sa më të kthjellët në vendimmarrjen tonë lidhur me çështjen e zgjerimit, kemi nevojë për një konsensus të opinionit publik lidhur me Shqipërinë. Por edhe për një qartësim rreth mënyrës se si Shqipëria i administron marrëdhëniet e saj me fqinjët, kemi nevojë të kuptojmë mirë përpjekjen e Shqipërisë në fushën e reformave dhe nga ky këndvështrim, reforma në drejtësi na duket ekzemplare. Së fundi, kemi nevojë për institucione që funksionojnë”, tha deputeti francez.
Home Aktualitet Deputetët francezë vizitë në Tiranë: Duhet konsensus politik për negociatat, duam prova...







































