Google search engine
Home Aktualitet Vendimi për Dritan Dajtin, prokuroria zyrtarisht rekurs në Gjykatën e Lartë, kërkohet...

Vendimi për Dritan Dajtin, prokuroria zyrtarisht rekurs në Gjykatën e Lartë, kërkohet burgim i përjetshëm

0
553

Vetëm dy ditë pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda ndaj Dritan Dajtit, i cili i shpëtoi burgut përjetë pasi ju pranua gjykimi i shkurtuar, prokuroria i ka bërë rekurs vendimit. Zyrtarisht dje, organi i akuzës nëpërmjet një rekursi të depozituar në Gjykatën e Lartë, kërkon prishjen e vendimit ndaj Dajtit. Prokuroria thekson në rekursin tashmë të depozituar në Gjykatën e Lartë, se vendimi për pranimin e gjykimit të shkurtuar ndaj të pandehurit Dritan Dajti është i pabazuar. Tre ditë më parë pesëshja e gjyqtarëve që dhanë vendimin ndaj Dajtit, dorëzuan 269 faqet me argumentet e tyre që sollën ndryshimin e dënimit të 47-vjeçarit, për vrasjen e 4 efektivëve të policisë 10 vite më parë. Si argument kryesor sillet jurisprudenca e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, e madje edhe Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që e parasjell ritin e gjykimit të shkurtuar si një e drejtë për të pandehurit. Me këtë argument, gjyqtarët e Apelit thonë se duhet rrëzuar vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila kishte kundërshtuar kërkesën e Dritan Dajtit për gjykim të shkurtuar. Gjykatësit thonë se Dritan Dajti duhet ta vuajë dënimin me 25 vite burgim në një burg të sigurisë së lartë. Në ankimimin e saj prokuroria thotë se gjykimi i shkurtuar pranohet për shkak të ekonomisë gjyqësore, por në këtë rast procesi vazhdon prej gati 10 vitesh dhe ekonomia gjyqësore nuk qëndron. Dajti akuzohet nga policia për vrasjen e ish-oficerëve Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Saimir Duçkollarri gjatë një shkëmbimi zjarri në 7 Gusht 2009. Nga përplasja me armë ai mbeti vetë i plagosur dhe u vra miku i tij Ledio Mara. Ndërsa më pas procesi gjyqësore i kësaj dosje ishte një telenovele, pasi vetëm në shkallën e parë u zhvilluan 276 seanca.

Dosja Hetimore

Më datë 7 gusht 2009, rreth orës 13:50, në lagjen nr.13, Plazh, Durrës pranë pistës së vogël “Iliria” janë vrarë me armë zjarri punonjësit e policisë Fatos Xhani, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari, Kastriot Feskaj, shtetasi Ledion Mara, si dhe janë plagosur po me armë zjarri shtetasit Dritan Dajti dhe Fatjon Shamku. Para vrasjes, policia mori informacion mbi lëvizjet dhe vendndodhjen e personit në kërkim për vrasje, shtetasit Dritan Dajti nga Tirana. Hetimi dhe gjykimi ka provuar se i pandehuri Dritan Dajti, ditën e ngjarjes, më datë 7 gusht 2009, ka qenë në Tiranë. Rreth orës 7:30, ai ka dalë nga shtëpia dhe me autoveturën tip “Volksëagen Tuareg”, që drejtohej nga kunati i tij, Ergest Xhoxhi, ka udhëtuar drejt Durrësit. Rrugës së bashku me ta ka udhëtuar dhe shtetasi Ledion Mara. I pandehuri Dajti ka udhëtuar në sediljen e pasme të autoveturës, e cila duhet theksuar se xhamat e pasmë të saj i ka pasur krejtësisht të errët. Automjeti ka ndaluar në fillim në lagjen nr.13 dhe më pas ka vazhduar rrugën drejt Rrogozhinës, ku shtetasi Ergest Xhoxhi është interesuar për disa vazo lulesh. Më tej, automjeti është kthyer në plazhin e Durrësit. Rreth orës 13:30-13:45, shërbimet e policisë kanë konstatuar automjetin e tipit “Volksvagen Tuareg” ngjyrë e zezë me targa CR535FR, i cili është afruar rrugicës që të dërgon në zonën e Pistës 2 te lagjja nr. 13, e njohur si Blloku Iliria. Brenda në automjet ndodhej Dajti. Fatos Xhani ka urdhëruar grupet e forcës së posaçme që tashmë i ishin afruar mjetit që të ndërhynin për neutralizimin e të pandehurit Dajti. Sapo janë afruar te mjeti “Tuareg”, punonjësi i policisë, Fatos Xhani, ka hapur derën e parë të krahut të shoferit të mjetit tip “Tuareg” dhe me thirrjen “Ndal policia!” i është drejtuar personit që ishte në sediljen e pasme të mjetit. Nga ana e personit që ndodhej brenda mjetit është hapur zjarr në drejtim të Fatos Xhanit, duke e lënë të vdekur atë. Dajti ka tentuar të dalë nga dera e pasme e krahut të pasagjerit, por dhe aty ka konstatuar forca policie, më konkretisht Saimir Duçkollari. Dajti nga brenda makinës ka hapur zjarr nga krahu i djathë i makinës, ku për pasojë ka mbetur i vrarë punonjësi i policisë Saimir Duçkollari. I pandehuri ka dalë nga dera e pasme e mjetit dhe menjëherë ka hapur zjarr në drejtim të punonjësit të policisë Altin Dizdari në distancë jo të largët, i cili ka mbetur i vrarë. Dajti ka vazhduar rrugën në drejtim të rrugicës së plazhit me një çantë që kishte krahë qafë, me qëllim që të përzihej me plazhistët. Ndërkohë, një person që ishte me Dajtin është ndjekur me vrap nga efektivi i policisë Kastriot Feskaj dhe në hyrje të rrugicës së dytë, Kastrioti ka arritur ta neutralizojë. Pasi pa këtë skenë, Dajti i është afruar policit Kastriot Feskaj duke e qëlluar këtë të fundit disa herë nga pas. Dajti tentoi të largohet, por ai është rrëzuar në rrugë, pasi ka mbetur i plagosur me një plumb në këmbë dhe një në bark, ku dhe u arrestua.

Elvis Myrta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here