Ka qenë një nga njerëzit e LSI-së që ka ngjitur shkallët e karrierës falë mbështetjes nga partia por me sa duket pushteti është më i ëmbël se çdo moral tjetër.
Një tjetër kandidat në pritje i LSI për të marrë mandatin e deputetit ka dorëzuar pranë KQZ formularin e dekriminalizimit. Bëhet fjalë për Ralf Gjonin, i cili bëhet kështu ‘tradhtari’ i radhës që preferon të marrë mandatin parlamentar, pavarësisht vendimit të kësaj force për t’i djegur mandatet.
Ai ka dorëzuar formularin e plotësuar në KQZ , nga ku pritet më pas të marrë mandatin e deputetit për qarkun e Tiranës. Kujtojmë se Gjoni ka qenë ish-Sekretari Ndërkombëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Po kështu pak ditë më parë, kur delegacioni i PE vizitoi Tiranën, ai zhvilloi një takim me raportuesin për Shqipërinë në BE, Knut Fleckeinstein çka u pa si sinjal i qartë se do të hynte në parlament.
Duke komentuar mundësinë e hyrjes në parlament të Gjonit, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi tregoi tek emisioni “Të paekspozuarit” mesazhin që kohë më parë ai i kishte nisur deputeteve të reja të LSI.
“Kur hynë ato vajzat deputete që bënë amendamentet e tetë kërkesave të studentëve, i shkroi Kejdi Mehmetajt: Ti duhet të dorëzoje mandatin. Si hyn ti në atë Parlament kriminelësh etj… Tani Ralfi u bë një nga kriminelët që do shkojë atje. Kjo është zgjedhja e Ralfit, por Ralfi nuk përfaqëson opozitën”, tregoi ajo.