Pak javë më parë ai lakohej si një prej futbollistëve më të mirë të Kombëtares, duke nënkuptuar se ishte në fokusin e trajnerit Kristian Panuçi dhe vinte pas një aktivizimi të rregullt me ekipet e moshave. Por në kulmin e performancës së tij në kampionatin grek, ku ai ka shënuar shumë gola dhe ka dhënë shumë asiste tek Panioniosi, vjen një lajm shokues për tifozët e kombëtares. Fiorin Durmishaj pranon të veshë fanellën e Greqisë. Shkak është bërë lidhja e tij me vendin fqinj dhe e ardhmja e kontratës së tij, që sipas vetë djaloshit shqiptar duket më e qartë në përfaqësuesen helene. Ai ka përdorur një shprehje domethënëse “nuk shtyhet dora e atij që të ka ndihmuar”, për të justifikuar zgjedhjen e tij, një fjali që si duket u ka pëlqyer edhe tifozëve grekë. Tashmë është vetë futbollisti që e konfirmon edhe zyrtarisht kalimin në radhët e përfaqësueses greke. Panuçi duhet të bëjë llogaritë me lojtarë të tjerë tani e tutje, pasi Durmishaj pranoi të veshë bluzën e kombëtares helene, duke refuzuar ftesën e Shqipërisë.
Qëndrimi i Durmishajt
Në fakt, emri i Fiorin Durmishajt ka qenë më i lakuari këto ditë si në mediat shqiptare, ashtu edhe greke, për shkak të ftesës që i ka mbërritur paralelisht nga Shqipëria dhe Greqia për të veshur fanellën e përfaqësueses. Vetë futbollistit i talentuar kishte qëndruar disa ditë në heshtje, duke evituar mediat, por më në fund ka dhënë versionin e tij rreth kësaj situate, duke konfirmuar zgjedhjen që ka bërë. Në një intervistë dhe dhënë për emisionin “Total Football”, ai ka treguar se do të bëjë maksimumin për të respektuar Greqinë, ku familja e tij ka gjetur strehë në një moment të vështirë. Sulmuesi konfirmoi kësisoj se e kishte për nder që të grumbullohej dhe të vishte fanellën e Greqisë në të ardhmen, për të “nderuar” këtë vend. “Nuk mund të bëj asgjë tjetër veçse të dashuroj këtë vend. Miqtë e mi janë grekë, ata më kanë ndihmuar shumë dhe nuk më shohin më si të huaj, siç ndodhte më parë. Nuk mund të kafshosh kurrë një dorë që të ndihmon. Unë e respektoj në maksimum këtë vend. Unë erdha me familjen time në Greqi në një situatë shumë të vështirë dhe na ndihmuan shumë. Kjo është arsyeja pse unë dua që të nderoj këtë vend sa më shumë që të mundem. Për mua janë një nder i madh komentet e bëra nga Angelos Anastasiadis dhe Angelos Basina në emisionin tuaj. Do të tregoj më të mirën time që të justifikoj atë që kanë thënë për mua”, tha Durmishaj duke i dhënë fund çdo diskutimi për të ardhmen e tij dhe konfirmuar se do të jetë pjesë e Greqisë në të ardhmen. FSHF ishte munduar që t’i kthente mendjen sulmuesit duke dërguar në Greqi trajnerin e U21, Alban Bushi. Por edhe kjo tentativë e fundit ka qenë e kotë, pasi nga ana tjetër, Greqia e ka kontaktuar me stafin e përfaqësueses dhe me vetë teknikun e Kombëtares A, për ta bindur që të vishte fanellën e saj.
Panuçi flet për listën e lojtarëve, enigmë sjellja me Durmishajn
Ndeshjet e Kombëtares po afrojnë dhe kureshtja për të njohur listën me të grumbulluarit për ndeshjet zyrtare është bërë e madhe. Vetë trajneri Kristian Panuçi, ka zbuluar për “Klan TV” se listën do ta zbardhë ditën e enjte në një konferencë për shtyp në ambientet e FSHF-së. Ai ka folur për objektivin e Kombëtares, si edhe për Marash Kumbullën, mbrojtësi i cili së fundmi është përfolur si risia në Kombëtare, megjithëse është vetëm 19 vjeç. Këtë grumbullim, mbrojtësi i Hellas Veronas do të mungojë. “Jam besimplotë sepse pas Ligës së Kombeve dhe miqësoreve ndryshuam diçka, sjelljen tonë në fushë dhe urojmë që të ecim përpara. Objektivi ynë është fitorja me Turqinë, të përpiqemi ta arrijmë dhe pastaj të mendojmë për Andorrën. Të enjten do të shpallet lista e lojtarëve dhe deri atë ditë nuk mund të them shumë. Kumbulla është i dëmtuar dhe nuk mund të jetë gati, nuk do të jetë në këtë grumbullim”, tha Panuçi./Adriatik BALLA