Reforma zgjedhore, deputetët e rinj të vendosur për ta votuar, distancohen nga veprimet e Bashës dhe Kryemadhit

0
340

Reforma zgjedhore duket se do të miratohet pa konsensusin e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj. Sinjalin e kanë dhënë ditën e djeshme deputetët e rinj të opozitës, të cilët zunë vendet bosh të lëna nga PD-ja dhe LSI-ja, duke dhënë garanci se nëse u kërkohet një gjë e tillë, do ta bëjnë me kënaqësi. Gjatë një prononcimi për mediat, deputeti Ylli Shehu u shpreh se do të votojë çdo nismë dhe ligj që është në të mirë dhe në dobi të qytetarëve shqiptarë.

“Ky moment është pritur prej kohësh. Kjo pjesë do një reflektim. Mendimi im është që është akoma herët për të folur për këtë gjë por kjo do jetë diçka shumë e mirë që kjo të ecë përpara. Megjithatë, duhet të konsultohem, por për diçka që do të jetë e mirë për vendin tim, pse jo”, deklaroi ai.

Duke komentuar vendimin e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shehu deklaroi se LSI nuk e pyeti më herët për vendimin e djegies së mandateve, gjë për të cilën ai shprehet se është kundër.“Ky ka qenë një vendimi i imi personale duke parë reagimin e ndërkombëtarëve dhe një pjesë të SHBA-së dhe duke menduar për të mirën e vendit tim mendova se djegia e mandatit nuk mund t’i bëjë mirë vendit tim. Ky ishte vendim personal. Absolutisht nuk ka pasur asnjë lloj kontakti. Pasi është marrë vendimi nga opozita nga Basha që i dha kohë dhe LSI-së për një shqyrtim nuk kam pasur asnjë kontakt për të marrë mendimin tim. Ndoshta edhe për shkak se nuk jam pjesë e Kryesisë. Por mendoj se duhet të ishte marrë një mendim nga unë sepse gjithmonë kam qenë kundër”, nënvizoi Shehu. 

Ndërkohë, nga ana tjetër reformën zgjedhore e komentoi edhe deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino. “Nuk kam të drejtë të paragjykoj, kushdo qoftë, se nuk mund të paragjykoj as ata që ishin më parë. Besoj se forcat politike kur ka një komision bipartizan i kanë kapacitetet e nevojshme për të arritur një reformë zgjedhore të pranueshme dhe me rregulla loje të sakta”, deklaroi Fino. Në seancën e 13 marsit, numri i deputeteve të opozitës së re pritet të jetë më i madh. Ç’ka përkthehet më shumë mundësi zgjedhjeje për komisionin e reformës zgjedhore. Kujtojmë që OSBE ka zhvilluar disa takime gjatë kësaj të mërkure , për të konkretizuar ndryshimet në ligjin elektoral, duke takuar disa eksponentë të mazhorancës. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here