Lidhjet e opozitës me rusët, Petro Koçi zbardh interesat e Moskës në vendin tonë, Xhaçka takim me zyrtarët e SHBA për të frenuar influencën

    0
    369

    Ndikimi rus në aksionin opozitar duket se po bëhet një shqetësim sa kombëtar, aq dhe rajonal. Çdo ditë që kalon dalin në dritë fakte dhe të dhëna se Moska po tenton destabilizimin e Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit. Një gjë të tillë e mbështeti edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, i cila ka zbuluar dje detaje mbi interesat ruse në Tiranë. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, Koçi deklaroi se rusët nuk e dëshirojnë hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe kësisoj po shfrytëzojnë çdo mundësi, sikundër janë protestat e opozitës për të mbjellë destabilitet në vendin tonë. Madje, numri dy i Ministrisë së Mbrojtjes u shpreh se Moska i frikësohet faktorit shqiptar kur është i bashkuar dhe për të frenuar këta, sipas tij, Moska kërkon që Shqipëria dhe Kosova të kalojnë në kaos. “Tani, duket qartazi që qëndrimet aktuale të opozitës shqiptare përputhen me interesat ruse, e cila kërkon dhe synon një rajon të destabilizuar. Dhe për një rajon, i cili nuk përparon në proceset e integrimit europian dhe atij euro-atlantik. Ky interes u duk hapur në rastin e transmetimit LIVE të protestës së opozitës nga televizioni rus anti-perëndimor “RT” dhe nga indicie të tjera që mund të penalizojnë edhe lider të caktuar politikë të opozitës. Madje, interesat joperëndimore në rajon kërkojnë që shqiptarët të jenë një faktor i përçarë dhe mundësisht që Shqipëria dhe Kosova të jenë në periudha trazirash. Kjo synohet. Kështu që opozita me apo pa dashje është duke vepruar në përputhje me këto platforma që vijnë nga Lindja dhe jo nga Perëndimi”, deklaroi ai. I pyetur nëse ish-kryeministri Sali Berisha është njeriu i Rusisë apo nëse ai ka lidhje me Moskën, Koçi deklaroi se referuar fakteve dhe kronologjisë së viteve të tij në pushtet, ekziston një mundësi e tillë. “Në një analizë të fakteve, duke sikur ka një fije që e lidh lidershipin e Partisë Demokratike me interesa jo euro-atlantik në Shqipëri, siç është Rusia. Gjithsesi për këto mbetet gjithmonë që të veprojnë dhe të nxjerrin konkluzione institucione jopolitike, institucione të drejtësisë”, nënvizoi zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi.

    Xhaçka takon zyrtarët e SHBA

    Por influenca ruse dhe ndikimi i Moskës në rajonin e Ballkanit ka qenë në fokus të diskutimeve edhe të ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, gjatë vizitës së saj dje në Itali. Kjo e fundit ditën e djeshme zhvilloi një vizitë pune në Komandën e Forcës së Bashkuar të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO) në Napoli, ndërsa u prit nga komandanti i kësaj force, admiral James Foggo, i cili është njëkohësisht edhe komandant i forcave detare të SHBA për Europën dhe Afrikën. Ministrja Xhaçka nënvizoi drejtimin Strategjik të NATO-s në Jug të Aleancës, si kontribut vendimtar për paqen dhe stabilitetin në këtë zonë të Aleancës. Në këtë kontekst, numri një i Ministrisë së Mbrojtjes theksoi se Shqipëria ka nevojë për praninë e NATO, në mënyrë që të jetë imune dhe e mbrojtur nga kërcënimet që i kanosen nga Rusia. Madje, ajo siguroi admiralin amerikan se vendi ynë do të vazhdojë të promovojë politikën e dyerve të hapura dhe të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit. “Shqipëria është e vendosur të jetë qendër e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor si dhe zëri kryesor për vlerat dhe aspiratat euroatlantike të vendeve të rajonit, duke përfshirë Kosovën. Në funksion të një rajoni më të sigurt e të mbrojtur nga kërcënimet që vijnë nga Rusia, për Ballkanin Perëndimor e ardhmja e vetme është orientimi drejt perëndimit”, deklaroi ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka në takimin me admiral Foggo.

    Rigels Seliman

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here