Ekspertët rrëzojnë alibitë e PD dhe LSI: Vendimet e KQZ për mandatet të ligjshme, nuk ka hap pas nëse plotësohen vendet vakante

0
514

Ekspertë kanë rrëzuar të gjitha alibitë e ngritura nga PD e LSI mbi zëvendësimin e deputetëve të tyre në sallën e Parlamentit. Ish-deputetët dhe mediat opozitare kanë akuzuar KQZ se nuk mund të zëvendësojë ata që kanë dhenë dorëheqjen, por ekspertët e fushës mendojnë të kundërtën. Ish kryetari i KQZ, Ilirian Celibashi, ka sqaruar dje në një studio televizive gjithë procedurën e ndjekur. “KQZ vendos se kush është personi që do të marrë mandatin. KQZ vendos bazuar mbi një njoftim zyrtar të Kuvendit që vërteton se ka një vakancë në Kuvend. Kodi Zgjedhor parashikon që dorëheqja paraqitet publikisht pranë komisionit përkatës të Kuvendit. Dorëheqja duhet paraqitur personalisht me shkrim, pasi është individuale. Nuk ka dorëheqje kolektive. Kodi Zgjedhor përcakton vetëm që dorëheqja duhet paraqitur publikisht në komision. Se çfarë nënkuptohet me “publikisht”, kjo çështje nuk gjen sqarim të plotë në rregullore. Unë mendoj që heqja dorë nga mandati përbën një akt të prezantuar publikisht”, deklaroi Celibashi. Ish-kreu i KQZ-së shtoi se në mënyrë absolute nuk është i pavlefshëm akti i dorëheqjes.

Kur u pyet se çfarë do të ndodhë nëse deputetët që kanë lënë mandatin ndryshojnë mendje, Celibashi tha: “Nëse ndryshimi i qëndrimit bëhet pa kaluar certifikimi nga Kuvendi, ka shanse që të ketë hap pas. Është njësoj sikur deklaratën e dorëheqjes ta dorëzosh paradite dhe pasdite të tërhiqesh. Nuk ka problem nga ana ligjore”. Celibashi tha më tej se përplasjet poltike në vend mund të zgjidhen përmes ndryshimit zgjedhor. “Nëse do të duam të kemi një përfaqësim më të drejtpërdrejtë, pa diskutim duhet të kemi sistemin mazhoritar. Duke zgjedhur drejtpërsëdrejti përfaqësuesin që do në Kuvendin e Shqipërisë. Çështja e sistemit zgjedhor është një çështje e vlerësimit të disa komponentëve. Ai që ka pushtetin përpiqet që të dominojë në këtë zgjedhje. Por historia ka treguar se kjo zgjedhje nuk i është përgjigjur atij që imponuar sistemin zgjedhor”, u shpreh Celibashi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here