Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të tentojnë sërish sot skenarin maqedonas për të mësyrë në sallën e Parlamentit. Kuvendi ka njoftuar dje se në orën 10.00 do të zhvillohet seanca plenare, ndërsa opozita ka porositur përfaqësuesit e saj që të rrethojnë sërish Parlamentin. Por çfarë pritet që të ndodhë sot? Ndryshe nga e marta e javës që lamë pas, sot janë dhënë sinjale se do të ketë skenarë më të ashpër dhune. Lulzim Basha ka paralajmërua dje në një studio televizive, se nuk do ketë më protesta paqësore si më 2017, por mosbindje civile nëse Rama nuk ikën. “Rama do të ikë. Partia Socialiste të bashkëpunojë me popullin, që fatura e largimit të tij të jetë e vogël dhe vendi të mos shkojë në përplasje civile… Akti i djegies së mandateve do të thotë që ne përfundimisht e kemi braktisur regjimin e Ramës. Dhe siç e the edhe vetë, ky akt përjashton çdo përsëritje të skenarit të vitit 2017, ku ne zgjodhëm të shmangnim përplasjen civile mes shqiptarëve dhe të jepnin një shans tjetër mundësisë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kërkesa jonë është fare e thjeshtë: Të kthejmë legjitimitetin politik, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Dhe hapi që kemi hedhur përjashton çdo mundësi për një përsëritje të 2017-ës”, tha Basha. Kreu i PD ka dhënë sinjale se nuk do ketë më paqe, por përplasje civile.
Skenarët
Sipas burimeve të gazetës, PD e LSI janë përgatitur për t’u përplasur me policinë. Militantët janë udhëzuar që të mësyjnë deri brenda në sallë dhe po ashtu të mos lejojnë futjen e deputetëve. Dje janë mbledhur të gjitha degët e PD në Tiranë dhe është kërkuar që të shkohet te mosbindja civile dhe përplasja me policinë. Sipas burimeve, në Njësinë nr.3 kanë shkuar mbrëmë rreth orës 20.00 Grida Duma e Orjola Pampuri, të cilat ja u kanë bërë të qartë demokratëve se nuk ka kthim pas dhe ata duhet që të jenë përgatitur për trazira civile. Për këtë arsye, një pjesë e madhe e protestuesve sot do të jenë pajisur me maska kundragaz. Vetë të rinjtë e LSI përmes rrjeteve sociale kanë postuar video duke krijuar maska përmes bidonave plastikë, uthullës dhe rrobave të ndryshme. Skena do të jetë disi e ngjashme me atë të javës që lamë pas, por këtë herë sinjalet janë se do ketë konfrontime me policinë. Po ashtu shumë të rinj janë “armatosur” me flakadanë dhe bomba molotov. Gjithashtu dje, përfaqësues të PD kanë shkuar te dyqanet dhe lokalet rreth Parlamenti duke ju kërkuar që të mbyllin aktivitetin, duke ju thënë se do ketë trazira. Për këtë arsye rreth 1 mijë forca do jenë pozicionuar rreth Parlamentit, ndërsa po ashtu do ketë dhe pranë godinës së Kryeministrisë. Forcat speciale do jenë në gatishmëri, ndërsa po ashtu do ketë dhe makina me ujë për shpërndarjen e turmës. Parlamenti është rrethuar me tela me gjemba e kangjella dje, ndërsa rrjeta mbrojtëse janë vendosur dhe te Kryeministria e Piramida.
Skenari maqedonas
Gazet e ka paralajmëruar prej disa ditësh se opozita po teton skenar maqedonas. Në Shkup, njerëzit e Nikola Gruevskit mësynë në Parlament dhe rrahën deputetët kundërshtarë. Për këtë arsye, policia është përgatitur që të mos lejojë cenimin e sigurisë së deputetëve. Dje në Parlament është vendosur një shkallë e lëvizshme, e cila do përdoret në rast emergjence për të nxjerrë deputetë nga salla. Sipas burimeve, PD do tentojë që të bllokojë dhe daljet sekrete të Parlamentit e për këtë arsye mund të tentohet që deputetët të dalin përmes shkallëve nga ana e Kalasë së Tiranës. Policia ka marrë sinjale se turma mund të lëvizë dhe drejt Kryeministrisë nëse mbyllet shpejt seanca e sotme, e për këtë arsye janë marrë dhe aty masa sigurie. Të gjithë deputetët janë lajmëruar që rreth orës 09.30 të jenë në sallë. Por gazeta ka mësuar se mund të ketë dhe një strategji nga ana e Ruçit për të ndryshuar orën e seancës, apo dhe për ta shtyrë atë një ditë tjetër, kjo në varësi të informacioneve që do të ketë policia.
Kliti Topalli