Influenca ruse mbërthen Presidencën, Meta aleancë me Haradinajn për të bllokuar paktin me Serbinë, thellon luftën me SHBA

0
392

Influenca ruse duket se po rritet nga dita në ditë në politikën shqiptare. Nuk ka më asnjë dyshim se skenari destabilizues i opozitës ndikohet nga Moska, ndërsa duket se në lojë është dhe presidenti Ilir Meta. Por kreu i shtetit duket se po luan në dy anë: si për çështjet politike në vend, ashtu dhe për situatën e krijuar mes Kosovës dhe Serbisë. Ilir Meta dhe Sali Berisha janë dy personat e vetëm që kanë dalë hapur kundër SHBA për çështjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar bindjet se në mes janë interesat ruse. Por një detaj tjetër interesant që e shton këtë është se kemi një aleancë të krijuar në Shqipëri e Kosovë, kundër amerikanëve. SHBA po përplaset ashpër me kryeministrin Ramush Haradinaj, sidomos për çështjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe. Uashingtoni është acaruar ndjeshëm me sjelljet e kryeministrit kosovar duke bërë që marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA të lëkunden. Haradinaj ka dalë hapur kundër ndryshimit të kufijve dhe po ashtu ka refuzuar amerikanët për taksën. Por për çudi, duket se lëvizjet e tij gjejnë mbështetjen e presidentit shqiptar. Meta dhe Haradinaj kanë drekuar bashkë ditën e shtunë dhe në fokus ka qenë pikërisht situata e tensioneve mes SHBA dhe marrëdhëniet me Serbinë. Nëse bëjmë një paralele, SHBA kanë gjetur mbështetjen e Hashim Thaçit, ndërsa Haradinajn nuk e preferojnë. Madje amerikanët i kanë refuzuar atij dhe vizën. Fakti që Haradinaj është kundër amerikanëve dhe po promovohet nga presidenti shqiptar, dëshmon qartë se dhe Meta është krah tij, duke i bërë karrshillëk amerikanëve. SHBA po teton që t’u japë një herë e mirë fund tensioneve në Ballkan, duke hapur rrugën për integrimin e Serbisë në BE dhe më pas të Kosovës. Por lëvizjet e Metës kanë rritur dyshimet se në mes kemi interesa ruse.

Interesat ruse

BE ja ka bërë të qartë Serbisë se pa njohur Kosovën nuk ka integrim. Po ashtu Kosova nëse nuk njihet nga Serbia nuk bëhet dot pjesë e organizmave ndërkombëtarë. Por SHBA vendosi t’i japë fund konfliktit dhe të zgjidhë një herë e mirë marrëdhëniet mes dy vendeve. Pakti për kufirin do sillte integrim të menjëhershëm të Serbisë, ndërsa po ashtu dhe Kosovës do i hapej rruga drejt BE. Po ashtu sherret në Ballkan do merrnin fund. Por i vetmi shtet që është kundër stabilitetit është Rusia. Integrimi i Serbisë në BE bllokon influencën ruse. Po ashtu SHBA përmes Kosovës dhe Shqipërisë do rrisin prezencën në Ballkan. Moskës nuk i intereson zgjidha e konflikteve, pasi shanset që ajo të ndikojë në Ballkan do shuhen. Por të vetmit që duan ta mbajnë ndezur këtë konflikt janë Meta, Berisha. Kjo të bën të mendosh se pas tyre fryn era ruse. Vetëm Moska nuk do stabilitet dhe Meta po e promovon ndjeshëm Haradinajn ditët e fundit, i cili ka hapur një shteg të ri lufte me amerikanët. Gazeta e ka thënë disa herë se Meta është kundër amerikanëve. Ai ka sulmuar si paktin Kosovë-Serbi, ashtu dhe reformën në drejtësi, të dyja investime të amerikanëve.

Meta të tjetër sulme

Pak ditë më parë kryeministri Rama mori një telefonatë nga SHBA për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë. Por presidenti Ilir Meta ka dalë dje kundër. “Shqipëria është nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës e respekton dhe mbështet dhe çështja e dialogut është një përgjegjësi që i takon udhëheqësve të Kosovës që janë zgjedhur për të përfaqësuar interesat. Çdo ndërhyrje nga Shqipëria do të ishte mungesë respekti për institucionet e pavarura të Kosovës”, tha ai, pas një takimi që pati me presidentin slloven.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here