Zgjidhet ngërçi në KLP, mandati i Antoneta Sevdarit i kalon Dritan Prençit, vihet në lëvizje komisioni i monitorimit të reformës

0
558

Vendi i lënë bosh nga Antoneta Sevdari në Këshillin e Lartë të Prokurorisë do të zëvendësohet më shpejt nga ç’pritej. Dikur prokurore e Tiranës, Sevdari për dy muaj gëzoi edhe detyrën e anëtares së KLP. Por dy ditë më parë ajo u shkarkua nga detyra me vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pas ankimimit të bërë nga Komisioneri Publik. Shkarkimi i Antoneta Sevdarit bëri që KLP të mbesë me 10 prokurorë momentalisht, ndërsa duhet që të nisin procedurat për zëvendësimin e saj. Por si do të kryhet ky proces? Anëtari i Këshillit të Pavarur për Monitorimin e Reformës në Drejtësi, Saimir Vishaj zbuloi ditën e djeshme se vendin e Sevdarit do ta zërë prokurori i Kukësit, Dritan Prençi, i cili aktualisht është prokuror i përkohshëm tek Krimet e Rënda. Gjatë një prononcimi mediatik, juristi Vishaj u shpreh se në këtë rast nuk është e nevojshme që të hapet gara sërish, të thirret Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve dhe më pas të votohet për kandidatët. Sipas tij, zgjidhja gjendet tek emrat që tashmë janë votuar nga Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve dhe zëvendësuesi i Antoneta Sevdarit do të jetë emri pas saj që ka marrë më shumë vota se kandidatët e tjerë. “Mbledhja e përgjithshme e prokurorëve e ka dhënë verdiktin e saj sipas listës dhe kritereve që ka pozicionuar. Mendoj që vendin e zonjës Antoneta Sevdari do ta zërë Dritan Prençi i cili ka marrë pikat maksimale sipas votave të vetë prokurorëve. Nuk do të ketë përsëri votim, por mendoj që votimi është kryer”, tha Saimir Vishaj. Me qëllim që të aplikohet kjo skemë, do të ndërhyjë edhe Komisioni i Pavarur për Monitorimin e Reformës në Drejtësi në mënyrë që të mos ketë asnjë vonesë në zëvendësimin e anëtarëve të shkarkuar. Kujtojmë që Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka në përbërjen e tij edhe 3 prokurorë të tjerë, për të cilët vendimet e konfirmimit janë ankimuar. Më konkretisht, bëhet fjalë për Gentjan Osmanin, Besnik Canin dhe Arben Dollapaj. Nëse edhe ndonjëri prej tyre ka fatin e njëjtë me Sevdarin, atëherë pritet që pasuesi i tyre të dalë nga kandidatët e votuar tashmë nga Mbledhja e Prokurorëve. Një skemë e tillë nuk mund të aplikohet vetëm në rast se anëtari momental i KLP ka qenë edhe kandidati i vetëm për këtë post. Në këtë rast, duhet që të hapet edhe një herë gara dhe të thirret Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve për të votuar për aplikantët.

Vishaj kritika për procesin e vetingut

Avokati Saimir Vishaj shtoi më tej në fjalën për mediat se pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë janë edhe disa persona që nuk e meritojnë. Në këtë pikë, ai nuk kurseu as kritikat për procesin e vetingut dhe punën e bërë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me disa emra prokurorësh dhe gjyqtarësh. Sipas tij, ka disa raste kur organet e vetingut kanë shkarkuar disa persona që nuk duhej dhe ka mbajtur në detyrë të tjerë që nuk e meritonin. “E vërteta është që reforma ë drejtës ka filluar dhe nuk mund të ndalet. Ka dhënë efektet të saj por çuditërisht mendoj se ka disa subjekte të rivlerësimit që nuk e meritojnë të largohem. Ashtu siç ka subjekte për të cilët janë dhënë vendime për të vazhduar punën, por meritojnë të largohen, qoftë për paaftësi profesionale, ashtu edhe për probleme të tjera ligjore. Por ajo që neve na bën më shumë përshtypje është që në përbërjen e KLP ose në këto institucione kushtetuese ka njerëz pa integritet”, tha Saimir Vishaj.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here