Shtyhet sërish ngritja e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë. Momentalisht gjithë sistemi i drejtësisë është në kaos, pasi gjyqtarët dhe prokurorët nuk mund të hetohen për shkelje që bëjnë si dhe nuk mund të shkarkohen, sepse këto masa i merr Inspektorati i Drejtësisë. Për të marrë drejtimin e këtij Inspektorati kanë shfaqur interes dy persona, të cilët janë gjyqtari i Gjykatës Administrative të Apelit, Artur Malaj dhe Marsida Xhaferllari, e cila ka qenë inspektore e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Por Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka vendosur ditën e djeshme të hapë garën me arsyen se minimalisht duhen të jenë 5 kandidatë, të cilët duhet të shfaqin interes për të marrë drejtimin e ILD. Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, KED bëri me dije se do të dërgohet në Kuvend lista me 5 kandidatë të përzgjedhur dhe renditur mbi bazën e meritave nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me qëllim zgjedhjen e kreut të ri të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me qëllim plotësimin e pozicionit vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe të dërgimit në Kuvend, për ta zgjedhur atë, të një listë prej 5 kandidatësh, të përzgjedhur dhe renditur mbi bazën e meritave nga ky Këshill sipas një procedure transparente dhe publike, shpall hapjen e procedurës së aplikimit në pozicionin vakant “Inspektor i Lartë i Drejtësisë” dhe fton, çdo person të interesuar, që plotëson kushtet dhe kriteret e parashikuara në nenin 147/d të Kushtetutës dhe në nenin 199 të ligjit nr. 115/2016, të marrë pjesë në këtë procedurë konkurrimit publik dhe të paraqesë pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, shprehjen e vullnetit për të kandiduar në pozicionin vakant për “Inspektor i Lartë i Drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Kriteret dhe dokumentet për kandidatët
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi më tej në njoftim fton çdo person të interesuar që plotëson kushtet dhe kriteret e parashikuara që të aplikojë për të marrë për të marrë drejtimin e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, siç janë certifikata se nuk ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo formularin e dekriminalizimit. “Kandidati duhet të paraqesë: jetëshkrimin e përditësuar, përfshirë adresën postare dhe elektronike, si dhe numër telefoni; fotokopje të kartës së identitetit; deklaratë personale motivimi, ku shpjegon arsyen e kandidimit dhe objektivat që synon të ndjekë nëse emërohet; formularin e aplikimit të plotësuar “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e Ish-sigurimit të Shtetit”. Ky formular gjendet i publikuar në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në pjesën e posaçme për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi; formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, thuhet në njoftim.
Afati i aplikimeve
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi po ashtu iu kujton të interesuarve se afati i fundit i aplikimeve është data 20 mars 2019 dhe dokumentet të dorëzohen në Gjykatën e Lartë. “Kërkesa për shprehjen e interesit, e shoqëruar me dokumentacionin e mësipërm, duhet të paraqitet brenda datës 20 Mars 2019 dhe të dorëzohen në Gjykatën e Lartë, pranë zyrës së posaçme të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”, thuhet në njoftimin e KED. Kujtomë që Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Drejtuesi i institucionit zgjidhet nga Kuvendi, me tri të pestat e votave me 84 kartonë në Kuvend dhe ka një mandat 9-vjeçar.
































