Lëvizja Socialiste për Integrim po shkon zyrtarisht drejt shkrirjes. Teksa një ditë më parë gazeta tha se janë 11 emra që mund të pranojnë mandatin e deputetit, 4 prej tyre kanë dorëzuar dje formularin e dekriminalizimit në KQZ dhe shumë shpejt do të hyjnë në Parlament. Bëhet fjalë për 4 anëtarë të LSI dhe më konkretisht për Ylli Shehun, Enver Roshin, Aurora Marrën dhe Edmond Rrushin. Të 4 këta emra kanë pranuar të marrin mandatin e deputetit, duke i dhënë një goditje të fortë partisë së presidentit. Por këtyre emrave pritet që t’i bashkohet edhe Ralf Gjoni, i cili nuk ka firmosur djegien e mandatit. Vetë Gjoni ka deklaruar pas takimit me raportuesin për Shqipërinë, eurodeputetin Knut Fleckenstein, se do të vendosë për mandatin mbas disa konsultimeve. Gazeta e paralajmëroj pak ditë më parë, se nga djegia e mandateve LSI rrezikon shkrirjen dhe PD rrudhjen. Përveç 4 emrave nga radhët e LSI, pritet që të pranojnë mandatin edhe disa emra nga PD. Gazmend Bardhi ka dorëzuar në KQZ dorëheqjet nga kandidimi të 38 kandidatëve, të cilët nuk pranojnë të bëhen pjesë e parlamentit. Por dy kandidatë kanë “tradhtuar” PD, duke mos pranuar të firmosin dorëheqjen nga mandati dhe më konkretisht Lefter Maliqi e Ligoraq Karamelo. Nuk ka ende një vendim të qartë për Erion Picirin dhe Selami Jenisherin. Ndërsa deputetët aktual të cilët nuk i dorëzuan mandatet janë Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari nga PD dhe Lefter Koka nga radhët e LSI. Kandidatët në listën pritëse kanë 10 ditë afat për të vendosur, pas thirrjes që marrin nga KQZ për të pranuar mandatin. Nga emrat që e kanë pranuar mandatin e deputetit, Parlamenti pritet të jenë 13 deputetë të opozitës, 7 prej të cilëve nga të PD dhe 6 të LSI, përballë 75 deputetëve të Partisë Socialistë dhe PDIU-së që i janë bashkuar mazhorancës. Por gazeta ka mësuar se përfaqësues të OSBE, SHBA dhe të BE janë duke lobuar fort te kandidatët në lista, në mënyrë që t’i bindin të pranojnë mandatet. Kjo do të thotë se PD e LSI mund të prekin fundin, pasi do ketë opozitë të re.
Kandidati i LSI paralajmëron për opozitë të re
KQZ iu ka lënë 10 ditë kohë kandidatëve që pasojnë në listat e opozitës, për të dorëzuar formularin e dekriminalizimit. Emrat që nuk kanë firmosur dorëheqjen nga mandati dhe që pritet të hyjnë në Parlament po shtohen. Kujtim Gjuzi, një nga emrat që renditët në listën e PD, tha se shumë kandidatë të tjerë janë të gatshëm të pranojnë mandatin e deputetit. Gjatë një prononcimi për media, ai tha se po krijohet një opozitë e re, e cila do të quhet Aleanca Kombëtare për Drejtësi, dhe pritet që numri i deputetëve të kësaj opozite të shkojë në 33. “Ju bëj me dije se dhe Sazan Guri s’ka firmosur dokumentin. Janë edhe shumë të tjerë dhe lista është mjaft e lartë, mund të shkojë në numrin 33. Opozita e re sapo ka lindur, Aleanca Kombëtare për Drejtësi quhet. Janë 11 parti politike që janë brenda, kanë firmosur dhe i janë bërë prezent faktorit ndërkombëtar në Tiranë përmes një dokumenti zyrtar”, tha ai. Gjuzi u shpreh se kanë pasur kontakte me ndërkombëtarët, të cilët janë të inkurajuar për të mbështetur pranimin e mandateve nga kandidatët e listës. “Kemi pasur dje një kontakt me këshilltarin më të lartë të zyrës së OSBE-së në Tiranë, i cili thotë se jemi të inkurajuar nga ambasadori që të mos e lëshojmë mandatin”, tha ai. Gjuzi deklaroi se nuk ka asnjë arsye për të lëshuar mandatin, duke shtuar se ai është një ndër drejtuesit më të lartë të opozitës së re që po lind. “Nuk kam asnjë arsye që ta lëshoj mandatin sepse nuk është i Kujtim Gjuzit, por i Partisë Konservatore. Në këtë moment unë jam një ndër drejtuesit më të lartë të grupit të ri opozitar”, u shpreh Kujtim Gjuzi.
Elisjeda Kiko


































