Përplasjet Erdogan-Gylen mbërrijnë në Shqipëri? Skënder Bruçaj tërhiqet nga gara për kreun e Komunitetit Mysliman

0
511

Kryetari aktual i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj është tërhequr ditën e djeshme nga gara për një mandat të dytë në krye të këtij institucioni. Vendimin e ka bërë të ditur dje vetë Bruçaj, ndonëse sot pritet të zhvillohet gara për kreun e KMSH-së. Por pikëpyetja është se pse u tërhoq Bruçaj nga gara për një mandat të dytë për kreun e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë? Disa media online dje kanë zbuluar se Bruçaj është tërhequr për shkak të përplasjeve Erdogan-Gylen dhe presionit të presidentit turk, pasi Ankaraja zyrtare e akuzon kreun aktual të KMSH-së si të lidhur me Fetullah Gylen. Madje, pak kohë më parë kur Shqipërinë e vizitoi ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, ky i fundit i kërkoi Tiranës zyrtare që të mbyllë shkollat dhe mediat afër klerikut, Fetullah Gylen. Pra, duket qartë se Bruçaj është tërhequr nga presionet e presidentit Erdogan. Dhe këtë tezë e ka mbështetur dje edhe Partia Demokratike. Ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo teksa shpërndau një artikull sipas të cilit, Bruçaj është tërhequr nga gara për shkak të presionit të Presidentit të Turqisë, e konsideron veprimin si një presion kuisling. Sipas Pollos, duan të eliminojnë atë që nuk e kontrollojnë për ta servirur kokën e KMSH në sini të argjendtë. Megjithatë, tërheqja e Bruçajt nuk e pengon zgjedhjen e kreut të ri të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, pasi janë disa kandidatura të tjera që kanë shfaqur interes. Aktualisht, në garë kanë mbetur Bujar Spahiu, nënkryetar i KMSH-së prej 10 vitesh, Ylli Gurra, Myfti i Tiranë, Islam Hoxha, Myfti i Kukësit dhe Gramos Blliku, myfti i Lushnjës. Kandidatura e Gëzim Abdishahit, imam i Golemit, ka rënë pasi sipas komisionit nuk plotëson pikën 3 të nenit 26 të statutit. Po kush është kandidati favorit? Me një shkollim të mirëfilltë teologjik në universitetin më të mirë në botë, pikërisht atë të Al-Azharit në Kajro të Egjiptit, Bujar Spahiu mban detyrën e nënkryetarit të KMSH-së prej një dekade. Spahiu me origjinë nga Kukësi, është një zë me peshë në Këshillin e Teologëve të Komunitetit Mysliman. “Vendosa të kandidoj për kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, nisur nga kërkesa e brendshme e besimtarëve shqiptarë. Prej 10 vitesh mbaj detyrën e Nënkryetarit në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë. Unë gjykoj të ngrihem mbi këtë podium të mbroj vlerat morale dhe historike të Islamit dhe popullit shqiptar”, ka thënë ai për mediat.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here