Muaji mars duket se do të jetë i ngjeshur me punë për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Nëse i hidhet një sy kalendarit të seancave dëgjimore në faqen zyrtare të KPA, vihet re se gjatë këtij muaji ky organ do të kalojë në sitë plot 5 subjekte rivlerësimi. Seanca e parë dëgjimore për këtë muaj është dedikuar për anëtarin e Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj. Në datën 5 mars trupa gjykuese e KPA do të mblidhet për të vijuar më tej me procesin gjyqësor ndaj Islamajt sepse kjo nuk është seanca e parë për të. Islamaj përfundoi në KPA pas ankimimit të bërë nga Komisioneri Publik sepse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin e tij në detyrë. Gjatë seancës gjyqësore që pritet të mbahet të martën, palët do të shprehen rreth analizës financiare për periudhën kohore 2004-2016 të përgatitur nga Njësia e Shërbimit Ligjor për Edmond Islamajn. Seanca e radhës dëgjimore do të jetë në datën 7 mars, ku për herë me KPA do të përballet gjyqtari i Tiranës, Astrit Faqolli. Njësoj si Islamaj, edhe Faqolli mori një vendim pozitiv nga KPK, por Komisioneri Publik e ankimoi. Pas Faqollit, në seancë publike para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit do të dalë edhe gjyqtarja e Tiranës, Alma Brati. Brati është përballur edhe një herë tjetër me trupën gjykuese të KPA, e cila pak kohë më parë vendosi rihapjen e hetimit për të, pavarësisht vendimit të rikonfirmimit nga KPK. Pas tri seancave publike njëra pas tjetrës, Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të vijojë punën me seancat në dhomë këshillimi. Në datën 18 mars trupa gjykuese do të mblidhet për të vendosur për fatin e ish-prokurores Rovena Gashi. E njohur si krahu i djathtë i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, Gashi trokiti në KPA sepse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shkarkoi për probleme të shumta me pasurinë. Një ditë pas Gashit, në dhomë këshillimi do të vendoset edhe fati i ish-prokurorit të Korçës, Elsion Sadiku, gjithashtu i shkarkuar nga KPK. Kujtojmë që deri tani KPA, për të gjithë të shkarkuarit nga vetingu që kanë kërkuar rikthimin në detyrë, ka lënë në fuqi vendimin e KPK. Pritshmëritë janë që edhe për Gashin dhe Sadikun organi kolegjial të vendosë shkarkimin nga detyra, njësoj si KPK.
































