Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein ka zhvilluar disa takime radhazi ditën e sotme. Situata politike në vend është mjaft e tensionuar por edhe deklaratat e ndërkombëtarëve kanë qenë të ashpra sidomos me kryetaren e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim.
Kandidati për deputet i LSI në zgjedhjet e 2017, Ralf Gjoni ka sërish mundësi të marrë mandatin e deputetit. Gjoni është pjesë e listës së Tiranës nga radhët e LSI, ndërsa mundësia për të marrë mandatin i është krijuar pas vakancave të krijuara në parlament si pasojë vendimit politik të opozitës për dorëheqje.
Gjoni ka publikuar një foto nga një lokal ku ka pirë kafe me Fleckenstein, i cili kreu një vizitë dyditore në vendin tonë.
‘Me mikun tim të mirë Knut Fleckenstein MEP duke diskutuar për të ardhmen e Shqipërisë, nën diellin e Tiranës që po ndriçon’, shkruan Gjoni bashkengjitur fotos.
Ky takim përforcon faktin që Ralf Gjoni nuk do i thotë jo propozimit për deputet si kandidat në listën e pritjes. Nuk kanë munguar as komentet provokative të ndjekësve, të cilat Gjoni as i ka mohuar dhe as i ka pohuar, se ç’do të bëjë me mandatin.
