Prokuroria ka nisur hetimet për protestën e opozitës mbrëmë para selisë së Parlamentit. Dhjetra persona përdorën tymuese, lëndë djegëse dhe mjete të forta ndaj policisë. Po ashtu u sulmuan deputetë e ministra. Të gjitha këto bien ndesh me rendin kushtetues në vend e për këtë arsye pas largimit të turmës, policia shkencore dhe ajo gjyqësore mbërritën para Parlamentit, duke kryer hetime. Pritet që në ditët në vijim të ketë perona të arrestuar dhe të shoqëruar, njësoj siç ndodhi më 16 shkurt. Policia ka fotografuar pjesën më të madhe të dhunuesve dhe për ta do ketë procedime penale. Më 16 maj u shoqëruan rreth 17 perona, ndërsa mbetet të shihet se si do veprohet tani. Por skenat e dhunës janë dënuar sërish nga ndërkombëtarët. Ambasada e OSBE ka dënuar ashpër sjelljen e opozitës dje. Sipas saj, skena të tilla janë të papranueshme. Po ashtu ju bë vërejtje dhe policisë sa i takon gazit lotsjellës, duke qenë se kemi të bëjmë me një zonë të banuar. “Dhuna nuk është përgjigjja për problemet e Shqipërisë. Ne e dënojmë sërish nxitjen politike të dhunës dhe bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi. Të protestuarit është një akt demokratik, por djegia e gomave, përdorimi i shashkave dhe çarja e kordonëve të policisë për të sulmuar një institucion publik, dhe veçanërisht zemrën e demokracisë, nuk janë të tillë. Po ashtu, e nxisim policinë të reagojë në mënyrë përpjestimore. Ne po e monitorojmë situatën me shqetësim. Përgëzojmë mediat për shërbimin e madh që po i bëjnë demokracisë përmes raportimeve të drejtpërdrejta”, thuhet në deklaratën e OSBE. Ndërkombëtarët të gjithë janë rreshtuar kundër PD e LSI në këtë aksion që ata kanë ndërmarrë. Deri më sot nuk ka dalë askush të përkrahë djegien e mandateve, apo dhe protestat e dhunshme. Madje Basha e Kryemadhi morën një telefonatë nga Uashingtoni pak ditë më parë dhe ju kërkua të distancohen nga aktet e dhunës. Edhe ambasada e SHBA ka dalë kundër. “Një demokraci e shëndetshme kërkon një opozitë që funksionon në mënyrë konstruktive brenda institucioneve kushtetuese. Kërcënimet nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe parti të tjera opozitare për të braktisur mandatet e tyre në Parlament minojnë parimet bazë të demokracisë dhe sabotojnë përparimin e rëndësishëm që Shqipëria ka arritur në zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e përgjegjshme. Shtetet e Bashkuara iu bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të ngrihen mbi sherret politike, të refuzojnë thirrjet për të braktisur mandatet e tyre dhe të mbrojnë idealet dhe parimet që janë me rëndësi thelbësore për çdo demokraci të fortë. Nëse dështoni të bëni punën tuaj, do të zhgënjeni njerëzit të cilëve keni privilegjin tu shërbeni”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA.







































