Google search engine
Home Aktualitet Altin Basha dërgon në teatrin e Prishtinës komedinë “Karnavalet e Korçës”

Altin Basha dërgon në teatrin e Prishtinës komedinë “Karnavalet e Korçës”

0
605

 Komedia “Karnavalet e Korçës” shkuar nga Spiro Çomora me regji nga Altin Basha shënoi premierën në skenën e Teatrit Kombëtar në Kosovë. Këtë herë komedia shqiptare në skenën e Prishtinës shënoi një sukses, ku në role regjisori Altin Basha ka angazhuar aktorë të njohur të teatrit. Komedi lirike ka subjekt fatin e dy prindërve për të zgjidhur fatin martesor të vajzës së tyre. Në regjinë e Altin Bashës ngjarja zhvillohet në provat e korit të qytetit, që përgatiten për koncertin e karnavaleve, prandaj ka shumë muzikë dhe këngë korale korçare. Sa i takon skenografisë ajo është moderne, jashtë kohe dhe sikur të gjithë janë brenda një maske të madhe. Një shfaqje ndryshe, gjysëm muzikore me solo, duete e kuartete. Por e gjitha kjo ka qenë një punë e madhe për aktorët me prova skenike dhe muzikore çdo ditë, ku ata vetë në shfaqje luajnë në instrumente, në piano dhe mandolina. Rolet në komedi regjisori ia ka besuar aktorëve si Luan Jaha, Ilire Vinca, Adem Karaga, Ernest Malazogu, Ylber Bardhi etj. Vepra i dha një tjetër sukses regjisorit të njohur Altin Basha në skenën e teatrit, i cili në media është shprehur se ndihet i plotësuar, sepse asnjë nga elementët, të cilët donte të bashkëvepronin në mënyrë maksimale në premierë nuk e tradhtoi. As aktorët, as skenografia, as ndriçimi, as kostumet dhe as muzika. “Në këtë kuptim, për një regjisor, shqetësimi i madh i premierës është që të gjithë elementët të jenë në maksimumin e tyre dhe të bashkëveprojnë pa e prishur unitetin e të gjithë veprës”, ka pohuar Altin Basha. Shfaqja “Karnavalet e Korçës” erdhi premierë mbrëmjen e së enjtes në skenën e Teatrit Kombëtar në Prishtinë. Jo vetëm puna e regjisorit që mori vlerësime, por dhe skenografia dhe kostumet nga Iliriana Loxha Basha ishin elementë me suksesin e veprës. Si gjithmonë më vëmendje në veprat shqiptare, me herët regjisori i njohur Altin Basha është shprehur se një Teatër Kombëtar e ka për detyrim thelbësor, të natyrshëm organik, mbrojtjen e produktit kombëtar. “Drama kombëtare, cilësia e saj rritet vetëm duke u vënë në teatër dhe duke besuar tek ajo”, ka pohuar regjisori. Me regji nga Altin Basha, kompozitor në vepër është Trimor Dhomi. Vepra po vijon të shfaqet dhe net të tjera në skenë.

Komedia në skenë

Komedia është e ndërtuar në tri akte. Veprimi zhvillohet në Korçë dhe rrëfehen ngjarjet në mjedisin e këtij qyteti, në vitin 1936. Dyshja Nikollaq dhe Olimbi, çifti i bashkëshortëve që përfaqësojnë tregtarët e vegjël të Korçës është një dyshe sa komike, aq edhe tragjike. Ata janë në një synim të përbashkët: ta martojnë çupën e tyre të vetme Afrovitin, por mendimet i kanë të ndryshme. Në thelb ata janë dy prindër egoistë, të cilët jo vetëm që nuk e ndihmojnë vajzën e tyre, po e vendosin atë në situata qesharake e tragjikomike. Afroviti është pasqyra e prindërve të saj, por nëse ata janë të rrahur nga jeta, ajo shfaqet me gjithë mendjelehtësinë, dashakeqësinë dhe antipatinë e një vajze të moshës së saj. Spiro Çomora (Korfuz, 31 janar 1918 – Tiranë, 1973) ishte mbledhës folklori, gjyqtar, satirist, përkthyes, poet dhe komediograf shqiptar. Fryt i punës disavjeçare janë përmbledhjet poetike “Syfete”, “Për njoftim e për veprim”, “Maska dhe fytyra” dhe “Skena e prapaskena”. Skena e tërhoqi Spiro Çomorën qysh herët dhe shkroi dialogje, intermexo, skeçe, pjesë me një akt etj, të cilat u botuan e u vunë edhe në skenë. Krijimet më të mira në këtë gjini i botoi në përmbledhjet “Nga fshati i gruas” dhe “Injeksione që duhen bërë”. Më vone shkroi edhe disa komedi me një e tre akte, si “Syleshi”, “Iu hoqën petët lakrorit”, “Dy me zero” (më vonë e titulloi “Prindër edukatorë”), “Dema dhe toreadorë”, dhe mbi të gjitha “Karnavalet e Korçës” më 1961 dhe “Dy me zero” më 1969./Julia VRAPI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here