CIA: Enver Hoxha më 1948 i dorëzoi Shqipërinë Bashkimit Sovjetik, Moska kontrollonte sistemin politik, ekonomik dhe ushtarak

0
613

Shërbimi sekret amerikan e ka parë “Ballin Kombëtar” si një element shumë të rëndësishëm për lëvizjet e tij, me qëllim rrëzimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Në një dokument të deklasifikuar nga CIA, jepet një raport denoncues i situatës së përgjithshme të Shqipërisë, përshkruar nga Presidenti i Partisë Agrare Shqiptare, njëkohësisht dhe drejtues i “Ballit Kombëtar”, Hasan Dosti. Ky i fundit shkruan mbi krijimin e Partisë Komuniste nën drejtimin e ekspertëve jugosllavë dhe konsolidimin e pushtetit të saj me anë të manovrave dhe intrigave, duke u vendosur në sferën e bindjes ndaj Marshall Titos. Më tej, Dosti denoncon varfërinë dhe problemet e popullit shqiptar nën regjimin e Enver Hoxhës, si dhe shfrytëzimin e bazave ushtarake në tokën shqiptare nga Bashkimi Sovjetik

Prishja e Titos me Moskën

Me përkeqësimin e lidhjeve mes Moskës e Beogradit, qeveria e Hoxhës konfirmoi prishjen me Titon duke anuluar të gjitha traktatet e marrëveshjet me Jugosllavinë, dhe e vuri veten në dispozicion të Kremlinit. Bashkimi Sovjetik menjëherë i dha garanci Enver Hoxhës për integritetin territorial kundër pretendimeve greke, por nuk dihet nëse traktate formale janë nënshkruar për këtë mes Moskës e Tiranës. Në sistemin komunist parimet e sovranitetit dhe pavarësisë së vendit kanë kuptime të ndryshme nga standardet e pranuara perëndimore. Sot në Shqipëri mund të thuhet se nocioni i pavarësisë është zhdukur fare prej qeverisë së Hoxhës. Që prej qershorit 1948, kur ndodhi prishja e Tiranës me Beogradin, fati i Shqipërisë është tashmë në duart e BRSS. Regjimi totalitar i Rusisë kontrollon të gjitha mekanizmat politike, administrative dhe ekonomike, dhe në mënyrë të veçantë aparatin ushtarak. Ministri i plotfuqishëm sovjetik në Shqipëri me stafin e tij të madh, dikton dhe përcakton politikat e qeverisë, së bashku me marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera. Legata sovjetike harton tekstet e ligjeve dhe dekretet e shtetit. Funksionarët rusë, megjithë kanë vetëm tituj këshilltarësh e organizatorësh, janë në komandë të të gjitha degëve të administratës së brendshme. Ata kanë marrë të gjitha postet dhe zyrat nga ku nisin iniciativat dhe punonjësit shqiptarë janë të detyruar t’i binden. Ndërsa teknikët rusë instalojnë dhe vënë në lëvizje të gjitha llojet e industrive.

Shfrytëzimi i minierave

Është e ditur që burimet më të vlefshme ekonomike të Shqipërisë janë minierat, nafta, dhe industria e nxjerrjes së kromit dhe bakrit. Të gjitha këto po shfrytëzohen drejtpërdrejt nga sovjetikët. Veçanërisht zonat naftëmbajtëse të Kuçovës, tashmë të pagëzuara me emrin e ri “Stalin”, ato të Patosit dhe minierat e bakrit të Pukës, tashmë janë rrethuar me tela me gjemba. Në këto zona nuk lejohet askush përveçse me leje nga rusët. Jo vetëm për çështjet teknike dhe administrative, por dhe shfrytëzimi material i mineraleve mbikëqyret nga sovjetikët. Shqiptarët punësohet vetëm për të gërmuar me lopatë dhe për të transportuar materialet që nuk mund të transportohen mekanikisht. Punëtorët shqiptarë për këto shërbime punësohen pas kontrolleve të ashpra dhe pasi zgjidhen ata që kanë besimin e plotë të komunistëve. Sipas raportimeve, në zonat e nxjerrjes së naftës dhe bakrit që janë të rrethuara me tela ka gjithashtu bunkerë nëntokësorë ku nuk lejohet të hyjë askush përvec ndoshta Enver Hoxhës e Mehmet Shehut. Besohet se këto katakombe shërbejnë si depozita për produktet e përfunduara të naftës e bakrit. Ato ruhen me oficerë rusë të ushtrisë së kuqe që qëndrojnë aty ditë e natë me pushkë me bajoneta. Rusët i kanë vënë rëndësi të veçantë nxjerrjes së naftës në Shqipëri dhe po e shfrytëzojnë me metoda moderne dhe intensitet të lartë. Por askush nuk në gjendje të tregojë se cila është masa e saktë naftës së nxjerrë. Si rezultat, bashkimi Sovjetik ushtron influencë të plotë në Shqipëri, në politikën e brendshme, të jashtme dhe shfrytëzimin e burimeve ekonomike.

Struktura ushtarake sovjetike

Për Bashkimin Sovjetik ka rëndësi të madhe konfigurimi gjeografik dhe strategjik i Shqipërisë. Stalini, trashëgimtar i Peterit të Madh, ia ka arritur objektivit të lëshimit të Rusisë së Kuqe në detin Mesdhe me anë të pozicioneve detare të Shqipërisë. Këtë po e bën duke i besuar bazat detare shqiptare strategëve të kuq rusë, të cilët kanë nisur nga puna për ndërtimin e instalacioneve ushtarake e detare për dominimin e Ballkanit. Misioni ushtarak në Shqipëri, i ndërtuar mbi bazën e disipline të hekurt po zgjeron planet dhe metodat e tij. Gjatë tre viteve që kanë komanduar drejtpërdrejt bazat ushtarake detare e ajrore, ata kanë krijuar një sistem fortifikimesh tokësore dhe bregdetare. Në ishullin e Sazanit thuhet se kanë instaluar pajisjet më moderne sovjetike që janë në gatishmëri në rast lufte në zonën e Mesdheut. Organizimi ushtarak sovjetik në Shqipëri mbahet shumë sekret. Mund të thuhet se ka një numër të konsiderueshëm ushtarakësh në vend, sipas burimeve të popullatës. Në katër divizionet e këmbësorisë shqiptare janë integruar 30 deri në 40 mijë njerëz. Moska komandon në mënyrë të drejtpërdrejtë aparatin ushtarak të Shqipërisë dhe duke pasur parasysh këtë Shqipëria as nuk duhet të konsiderohet si vend satelit i Moskës por si një zonë ushtarake e BRSS. Kjo situatë është imponuar mbi popullin shqiptar jo vetëm kundër dëshirës së tyre por ndoshta dhe kundër vetë vullnetit të qeverisë së Shqipërisë dhe Enver Hoxhës. Oficerët, nënoficerët dhe ushtarët e thjeshtë të Bashkimit Sovjetik bëjnë rekrutimet, stërvitjet dhe komandojnë të gjithë ushtrinë e Shqipërisë. Masat popullore shqiptare rekrutohen në ushtri kundër dëshirës së tyre por nga frika e hakmarrjes ndaj tyre dhe familjeve të tyre. Me gjithë masat e ashpra, shumica e të thirrurve në ushtri nuk paraqiten, por largohen duke u strehuar më male, ku i bashkohet grupeve të rezistencës. Sigurisht që herë pas here ata hasin në forcat qeveritare dhe shkëmbejnë zjarr me to. Shumë janë vrarë. Në të njëjtën kohë, anëtarët e familjeve të të larguarve apo elementëve të tjerë anti-qeveritarë, ndiqen dhe dënohen. Dezertimet nga ushtria dënohet ashpër por gjithsesi janë të shpeshta. Shumë nga ushtarët gjejnë mundësinë për t’u larguar në male ose për t’u arratisur nga kufiri grek dhe jugosllav. Dezertimet e ushtarëve dhe civilëve do të ishin akoma më të shpeshta nëse populli mëson se ata priten mirë në Greqi dhe Jugosllavi. Pjesa shqiptare e ushtrisë së Kuqe vepron me takt dhe me metoda serioze. Ashtu si shërbimet e tjera të propagandës, ata shfrytëzojnë parimin e pavarësisë dhe vetëvendosjes së popullit, me anë të të cilit influencojnë fuqimisht shqiptarët dhe të rinj në moshë rekrutimi. Fjalia e parë e programit shkollor të përditshëm, si në shkollat dhe kazermat ushtarake është: Ushtria shqiptare është një nga elementët e Ushtrisë së Kuqe dhe siguron fatin e kombit shqiptar duke bërë mbrojtjen territoriale në jug të Shqipërisë, që kërcënohet nga Greqia”. Natyrisht që predikime të tilla me përmbajtje politike dhe kombëtare kanë përhapje të gjerë në Shqipëri. Ato i bëjnë një analizë ndërgjegje çdo ushtari që mendon të arratiset drejt Greqisë, ku mund të përfundojë përsëri si ushtar i Greqisë që kërkon të pushtojë viset jugore të atdheut të tij.

Rezistenca

Lëvizja e rezistencës kundër regjimit të Hoxhës dhe atij të Moskës ka qenë gjithmonë e ashpër, energjike dhe e përhapur gjerësisht në Shqipëri. E tilla ajo është edhe sot, dhe aq më shumë kundër ekspertëve, këshilltarëve dhe organizatorëve sovjetikë që kanë autoritet në Shqipëri. Populli shqiptar nuk e duron tiraninë e huaj. Ata nuk dëshirojnë të jenë përgjegjës për mënyrën se si Bashkimi Sovjetik, me presionin e tij politik dhe ushtrinë tmerruese, përgatitet dhe organizohet në Shqipëri. Lëvizja e rezistencës është e dallueshme në të gjithë sektorët, ajo nis që me të mësuarit e fëmijëve në shtëpi, në shkollë, të punësuarit në administratë, ushtarët dhe deri te ata që luftojnë në male. Në Shqipëri prej shekujsh, malet kanë qenë fortesa e papushtueshme e lirisë së popullit. Çdo majë mali është një fole për mbrojtjen e lirisë nga pushtuesit. Rezistenca e ka manifestuar veten në forma të ndryshme por i ka kushtuar shtrenjtë popullit të vogël shqiptar, i cili është dënuar me internime, burgosje dhe torturime të dhjetëra mijëra njerëzve, ekzekutime masive, në të cilat dallohet ato të priftërinjve katolikë. Më 10 shkurt të këtij viti në legatën sovjetike në Tiranë shpërtheu një bombë, në atë që mund të quhet si sulm kundër Bashkimit Sovjetik. Menjëherë u shpall gjendja e emergjencës dhe mijëra njerëz u arrestuan në Tiranë dhe qytete të tjera. Pas disa procedurave të shpejta e me dyer të mbyllura, rreth dyzet persona u ekzekutuan, nga të cilët dihen vetëm rreth 20 emra. Për këtë rast u krijua një ligj i veçantë që parashikon dënim me vdekje për këdo që merr pjesë në lëvizjen e rezistencës ose që i gjenden armë, me vete ose në shtëpi. Për zbatimin e këtij ligji u autorizuan Këshillat Fshatare që të vepronin prej hapave të parë deri në masën e fundit pra në ekzekutim, pa pasur nevojë për gjykata.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here