Amir Abrashi rrëfen tmerrin e dëmtimit 1-vjeçar: Kisha frikë se nuk do të luaja më, tani jam i rilindur

0
437

Amir Abrashi ka lënë pas dëmtimin 11-mujor në Gjermani dhe është kthyer në fushë. Kishte prej disa ditësh që stërvitej normalisht me grupin dhe në fundjavën që lamë pas ai ishte titullar në ndeshjen që Frejburgu luajti ndaj Shalkes. Shqiptari luajti 90 minuta në këtë takim dhe pas ndeshjes u shpreh i lumtur, duke thënë për mediat gjermane se kishte kaluar një nga momentet më të vështira të karrierës së tij dhe pritja e gjatë i kishte sjellë shqetësim, por më në fund kthimi ka rezultuar i suksesshëm dhe ai as se ka ndjerë lodhjen si pasojë e gëzimit që përjetoi me aktivizimin në fushë. “Tani jam fare mirë dhe po luaj me grupin. Është kënaqësi e madhe të luaj 90 minuta të plota dhe të them të drejtën nga gëzimi i aktivizimit as e ndjeva lodhjen fare. Kam kaluar një periudhë të vështirë, një mungesë të gjatë, por kjo kaloi tashmë dhe unë jam duke menduar për skuadrën. Është momenti im dhe dua të rifitoj kohën e humbur”, theksoi Abrashi, i cili me rikthimin e tij si titullar me Frejburgun në Bundesligën gjermane do të marrë patjetër ftesën e trajnerit Kristian Panuçi në Kombëtare për duelet eliminatore të Euro-2020. Rikthimi në fushë i Abrashit është pra një sinjal i fortë për rivalitet në mesfushën e Kombëtares, një moment i rëndësishëm në prag të duelit me Turqinë, i parti në eliminatore për Kombëtaren kuqezi, ndeshje që luhet më 22 mars në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.

Gjimshiti në fokusin e mediave italiane si lider i Atalantës

Mbrojtësi i përfaqësueses kuqezi, Berat Gjimshiti, është ndjerë i nënvlerësuar në kampionatin italian dhe më shumë se për cilësinë, nënvlerësimi ka ardhur për shkak të mungesës së besimit te mbrojtësi kuqezi. Mediat italiane, i kanë kushtuar një artikull Gjimshitit duke rrëfyer aventurën e tij pas kalimit nga kampionati zviceran, në atë italian. Ai u bashkua me Atalantën në merkaton e dimrit në vitin 2016, por deri në fund të sezonit nuk arriti kurrë që të tregonte vlerat e tij reale pasi u aktivizua vetëm në 3 ndeshje deri në fund të sezonit. Kështu, kryesia e klubit vendosi që ta huazonte te Avelino e më pas te Benevento ku edhe tregoi një formë të mirë, e megjithatë nuk i kishte bindur drejtuesit e Atalantës. Ky sezon nisi sërish keq për Gjimshitin duke qenë se bergamaskët donin që ta largonin me çdo kusht pasi nuk kishte vend në skuadër për të. Duke qenë se nuk iu gjet një skuadër, zikaltrit u detyruan ta mbajnë në ekip dhe që nga momenti i parë që iu dha mundësia, ai tregoi se nuk është rastësisht aty. Arriti të shënonte dhe golin e parë e madje e bëri në një ndeshje ndaj Interit e tani, për Gjimshitin flitet ndryshe në Itali. Pas interesimeve të shumta në merkaton e janarit, iu afrua rinovimi me Atalantën dhe tani është një nga më të rëndësishmit në skuadër.

Talenti/ Rei Manaj nuk pyet për dëmtimet, rikthehet sërish në stërvitje me Albaseten

Rei Manaj po tregon te Albasete se është një futbollist që nuk di të dorëzohet dhe dëmtimet nuk mund ta mbajnë larg fushave të blerta. Pak ditë më parë, ai u dëmtua në stërvitje me skuadrën e tij, pasi u përplas fort me Sullei Muntarin dhe u detyrua që të largohej nga stërvitja për të marrë ndihmën mjekësore. Megjithatë, sulmuesi i Kombëtares duket se po e mendon seriozisht ndeshjen e radhës në kampionat dhe së fundmi ka dalë sërish në stërvitje me skuadrën e tij. Ai ka fashuar këmbën e dëmtuar dhe është stërvitur normalisht me skuadrën e tij, ndërkohë që do të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës në kampionat. Kjo nuk është hera e parë e Manajt që paraqitet në stërvitje i fashuar dhe që vendos të sfidojë dëmtimin duke qenë se pak javë më parë pësoi një dëmtim horror në fytyrë dhe menjëherë kërkoi një maskë në mënyrë që të luante në ndeshjen e radhës në kampionat, pavarësisht nga dëmtimi i pësuar.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here