Google search engine
Home Politike Drejtesi Ulja e dënimit për Dritan Dajtin, reagon KLGJ: Do ta vlerësojmë rastin...

Ulja e dënimit për Dritan Dajtin, reagon KLGJ: Do ta vlerësojmë rastin me përparësi, vendimet do jenë konform ligjit

0
463

Këshilli i Lartë Gjyqësor reagoi ditën e djeshme për uljen e dënimit për Dritan Dajtin. Dajti ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e 4 policëve, por Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ia uli dënimin në 25 vite burg. Pas këtij vendimi, reaguan ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, presidenti Ilir Meta dhe ambasadori i BE, Luigi Soreca. Të gjithë ata kërkuan hetim nga ana e KLGJ për rastin në fjalë. Reagimi i KLGJ erdhi ditën e djeshme, i cili njoftoi se rasti i Dritan Dajtit po vlerësohet me përparësi. Në njoftimin për mediat, Këshilli i Lartë Gjyqësor shtoi se çdo vendim që do të merret për gjyqtarët e rastit “Dajti” do të jetë në zbatim të ligjit.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor, njofton opinionin publik, se pranë tij, është depozituar kërkesa e Ministrit të Drejtësisë, në të cilën kërkohet hetimi disiplinor i veprimtarisë së anëtarëve të trupës gjyqësore, që kanë gjykuar çështjen kundër të dënuarit Dritan Dajti, me arsyetimin se këta gjyqtarë, kanë kryer shkelje të rënda profesionale dhe etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës, shkak mbi të cilin ka kërkuar në vijim edhe marrjen e masës së shkarkimit nga detyra. Nisur nga kjo kërkesë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, informon publikun se kjo çështje do të trajtohet me përparësi, paanshmëri dhe profesionalizëm. Këshilli do të bëjë vlerësimin e duhur, në përputhje me kuadrin e ri ligjor dhe do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm në respektim të ligjit”, njoftoi KLGJ.

Ndërkohë, vendimi i Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda ndaj Dritan Dajtit pritet të ankimohet nga prokuroria. Burime nga organi i akuzës thanë se sapo të zbardhet vendimi për pranimin e gjykimit të shkurtuar prokuroria do të bëjë menjëherë rekurs në Gjykatën e Lartë e cila momentalisht ka vetëm katër antarë. Në ankimimin që prokuroria pritet të depozitojë në Gjykatën e Lartë do të kërkohet prishja e vendimit të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda. Prokuroria tha se ishin kundër pranimit të kërkesës së të pandehurit për pranimin e gjykimit të shkurtuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here