Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u rikthye ditën e djeshme tek seancat intensive dëgjimore. Vetëm dje kaluan në sitë dy emra, kandidatja për magjistrate, Ana Golloshi dhe prokurorja e Apelit të Korçës, Irma Balli. Për të dy emrat KPK kishte konstatuar probleme me pasuritë. Për Irma Ballin, trupa gjykuese e KPK bëri të ditur se raporti i ILDKP ka arritur në konkluzionin se prokurorja ka bërë deklarim të pasaktë të pasurisë në përputhje me ligjin, ka bërë deklarim të rremë dhe ka fshehur pasurinë.
Ndërkohë, gjatë hetimit të thelluar të KPK ka rezultuar se Irma Balli kishte pasuri familjare me vlerë 17.2 milionë lekë në vitin 2003. Referuar deklaratës së parë të dorëzuar në ILDKPI, prokurorja dhe bashkëshorti i saj zotërojnë 1/4 e një pikë karburanti dhe një dyqan në qytetin e Korçës me vlerë 10 milionë lekë, një apartament prej 6 milionë lekësh, një automjet “Benz”, ndërkohë që i shoqi ishte aksioner me 25% në një kompani për tregtimin e karburantit. Prokurorja e Prokurorisë së Apelit të Korçës nuk ka deklaruar një kat të ndërtesës në kërkesën për leje ndërtimi të karburantit dhe për këtë janë ngritur dyshime për ndërhyrje të pajustifikuara në dokumentacionin për ndërtesën. Lidhur me këtë pretendim, prokurorja tha se praktika e regjistrimit të pronës është bërë nga babai dhe jo nga ajo vetë. Vendimi për Irma Ballin pritet të jepet me 14 shkurt, ora 09:00. Ndërkohë, me probleme me pasurinë u përball edhe ndihmësja ligjore pranë Gjykatës Administrative, Ana Golloshi. Edhe për të, ILDKP ka raportuar pranë KPK se ka kryer deklarim jo të saktë, nuk ka pasur burime të ligjshme pasurie, ka kryer deklarim të rremë, nuk ka kryer fshehje pasurie dhe nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit.
Sakaq, edhe gjatë hetimit të saj të thelluar, trupa gjykuese ka arritur në të njëjtat përfundime. KPK konstatoi mungesë të burimeve financiare të ligjshme për një pasuri të patundshme dhe një makinë, për të cilat Golloshi ka deklaruar se kishin si burim financiar të ardhura të siguruara në emigracion, para se ajo të niste detyrën që ushtron. Komisioni ngriti pikëpyetje edhe lidhur me transferimin e parave nga Greqia, por këshilltarja ligjore pretendoi se paratë ishin transferuar ndër vite në sasi të vogla.











































