PSG dërrmon Junajtid brenda në “Old Trafford”, Roma fitore pa nerv ndaj Portos

0
387

Junajtid e nisi me shumë vrull ndeshjen e mbrëmshme kundër parizienëve, duke e mbledhur ekipin francez në gjysmëfushën e tij dhe duke ushtruar presioin të madh në kufijtë e zonës së rreptësisë, pra duke kërkuar medoemos golin. Trajneri i PSG-së, Tomas Tuhel, kishte zgjedhur të luante me kundërsulmin, nisur nga shpejtësia e lojtarëve të tij, por edhe nga mungesat e rëndësishme të Nejmarit dhe të Kavanit. Presioni i anglezëve ndihej dhe në treguesit statistikorë që u dominuan dukshëm gjatë pjesës së parë, megjithëse në 15 minutat e fundit të fraksionit të parë të lojës ishte PSG-ja që ushtroi preson dhe e rriti ndjeshëm performancën, duke rrezikuar me Mbape dhe Di Maria, por që në momentet e fundit Eshli Jang dhe Matiç u shkaktuan ndërhyrje të forta për t’i frenuar. Në fund të pjesës së parë, Lingard la fushën i dëmtuar e në vend të tij u aktivizua sulmuesi kilian Aleksis Sançez. Pjesa e parë u mbyll në barazim 0-0. Në pjesën e dytë Paris San Zhermen e nisi menjëherë me gol. Ishte minuta e 53-të kur Kimpebe realizoi për francezët, duke e vendosur Junajtid në pozita të vështira. Hapja e Junajtid në kërkim të golit të barazimit solli edhe goditjen fatale për anglezët. Ishte Kilian Mbape që realizoi golin e dytë në minutën e 61-të, duke e vënë fitoren e parizienëve në rrugën e duhur. Junajtid u përpoq me të gjitha mundësitë të reagonte, por mbrojtja e PSG-së u tregua hermetike. Nervat nuk e mbajtën në fund Pol Pogbanë që mori karton të kuq dhe doli nga loja. Ndërkohë, Roma nuk kishte ardhur deri në këtë etapë të Championsit si rastësi, por falë një loje dhe rezultatesh të mira. Megjithatë, mbrëmë hasi në vështirësi serioze, pasi aksioneve të saj u mungonte qartësia dhe sidomos finalizimi. Pjesa e parë tregoi qartë se ishin portugezët më të mirë një disiplinimin taktik dhe në mbajtjen e topit (55%-45%), ndërkohë që goditjet në portë ishin 1-1. Pjesa e parë nuk prodhoi gola dhe përfundoi me rrjeta të paprekura 0-0.  Në pjesën e dytë vijoi i njëjti “avaz” deri në minutën e 70-të, kur Zaniolos realizon dy gola të shpejtë, në minutën e 70-të dhe 77-të. Por Porto do të reagonte shpejt duke shënuar një gol me vlerë në fushë kundërshtare me Lopez në minutën e 80-të.

Liga e Europës,  Fenerbahçe fiton duelin e parë me Zenitin

Në kuadër të 16-shes së Ligës së Europës, mbrëmë u luajt dueli i parë midis Fenerbahçesë dhe Zenitit të Shën Petersburgut. Në fakt ishte ndeshja e vetme e këtij raundi që u luajt mbrëmë, sepse 15 takimet e tjera do të luhen të enjten në mbrëmje. Dueli midis turqve dhe rusëve u luajt në Stamboll dhe përfundoi me fitoren 1-0 të Fenerbahçesë. Ishte një përballje shumë e fortë dhe të dyja skuadrat u përpoqën të fitonin, por turqit shënuan të parët dhe e ruajtën epërsinë. Ishte pikërisht Islam Slimani që shënoi golin e fitores në minutën e 22-të. Në fund të pjesës së parë, pikërisht në minutën e 44-t, Zeniti pati rastin të barazonte shifrat, por Robert Mak gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Turqit fituan ndeshjen 1-0, por rusët kanë avantazhin e fushës në ndeshjen e kthimit.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here