Google search engine
Home Aktualitet LSI e zhytur në afera, abuzime nga Hipoteka dhe Burgjet, te ARRSH...

LSI e zhytur në afera, abuzime nga Hipoteka dhe Burgjet, te ARRSH e ministritë, ja skandalet në institucionet e drejtuara prej saj

0
535

Lëvizja Socialiste për Integrim mund të quhet me plot gojën si partia e skandaleve dhe aferave. Si gjatë kohës që qeveriste me PD, ashtu edhe me PS, partia e drejtuar në atë kohë nga Ilir Meta nuk ka qëndruar dot larg abuzimeve dhe drejtësisë. Gjatë bashkëqeverisjes PD-LSI, vetë presidenti aktual u bë protagonist përmes një video të publikuar nga Dritan Prifti, ku më pas doli i pafajshëm në gjykatë. Protagonist ishte dhe Edmond Haxhinasto, i cili u përfshi në skandalin e privatizimit të Albpetrol. Por gjatë qeverisjes PS-LSI, kjo e fundit duket se e ka shtuar dozën e abuzimit. Rama i dha Metës drejtoritë kryesore në vend dhe sot krerët e tyre janë në procese gjyqësore apo në hetim. Nga Autoriteti i Rrugëve, Hipoteka, Burgjet, Portet, Hekurudhat e deri të ministritë, kanë shpërthyer skandale. Skandali më i fundit është ai i abuzimeve në Ministrinë e Drejtësisë, pasi janë nën hetim 12 persona, ndërsa po ashtu në skaner janë dhe Ylli Manjani e Petrit Vasili. Por kjo ministri nuk është e vetmja, pasi ka shumë institucione të tjera që u kthyen në çerdhe korrupsioni gjatë kohës që LSI ishte në pushtet.

Skandalet e ARRSH

Kulmi i abuzimeve të LSI ka arritur me rrugët. Ajo drejtoi Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe gjatë periudhës 2013-2017 edhe pse nuk pati as një metër rrugë, abuzimet kapin shifra të frikshme. Për këtë arsye sot po përballet me drejtësinë ish-drejtori Dashamir Xhika. Hetimet kanë nisur pas një auditimi që ka bërë Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës, i cili u përmbyll duke llogaritur një dëm prej rreth 54 milionë dollarësh me kontratat abuzive të aksit rrugor. Përveç dëmit prej rreth 54 milionë dollarë, auditi konstatoi edhe një shkelje të disiplinës financiare, me vlerë rreth 16 milionë dollarë. Ky dëm, sipas auditit, është shkaktuar nga nënshkrimi i amendamenteve të kontratës, pa burime financimi.

Abuzimet e LSI në hipoteka

Një tjetër drejtori ku ka pasur abuzime është Zyra e Regjistrimit të Pasurive, apo e njohur si Hipoteka. Abuzimet aty në katër vitet e fundit kapin shifrën 2.4 miliardë lekë, ose 18 milionë euro. Shifrat janë bërë publike nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili bir me dije se dëmi është konstatuar nga auditimet e ushtruara në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive, drejtuara nga LSI. Organi suprem i auditimit thotë se nga kontrollet janë konstatuar një sërë shkeljesh, si regjistrime të falsifikuara të pronave, mbivendosje dhe mosarkëtim taksash. Sipas KLSH, në total këto abuzime arrijnë në 2 miliardë e 404 milionë lekë. Për shkeljet e zbuluara KLSH raporton se ka kallëzuar penalisht 196 punonjës dhe ka kërkuar largimin nga puna të 134 të tjerëve.

Abuzimet në burgje

Një hetim i Prokurorisë së Krimeve të Rënda zbuloi se në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve paguhej ryshfet për të fituar tendera. Bëhet fjalë për tenderat e ushqimeve për të burgosurit të cilat kapin vlera të konsiderueshme, miliarda lekë. Hetimet, përgjimet por dhe dëshmitë e mbledhura treguan se zyrtarët e dyshuar për korrupsion janë ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto dhe zëvendësi i tij Iljaz Labi. Të dy këta zyrtarë u arrestuan ndërsa të dy u emëruan në këto detyra nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Më pas Zoto u shpall i pafajshëm, por prokurori tregoi batërdinë që bëhej në burgje. 

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here