Google search engine

    Arkivi i Filmit zbulon thesaret shqiptare, dalin për publikun prodhimet e rralla filmike të para viteve ‘90

    0
    482

    Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit e nis ciklin “Thesaret e Arkivit” këtë vit me dokumentarin “Në flakët e revolucionit” prodhim i vitit 1967. Arkivi bën me dije se cikli “Thesaret e Arkivit” është një program i  kuruar dhe prezantuar nga personalitete të mendimit dhe hulumtimit bashkëkohor. Ky program nis sot me këtë dokumentar, që do të shfaqet në kinema “Agimi”, për t’ia lënë më pas vendin dhe të tjerë filmave artistikë dhe dokumentarë prodhime shqiptare dhe të huaja që janë përzgjedhja e AQSHF për tu shfaqur në kuadër të këtij programi. Dokumentari që do të shfaqet mbrëmjen e sotme është me regjisor kamera operatorin e talentuar, Endri Keko. I xhiruar nga mjeshtrit Ilia Terpini dhe Niko Theodhosi, ky dokumentar bardhë e zi, i shfaqur shumë rrallë, sjell në vëmendje një moment kyç të historisë së vendit tonë. Drejtuesja e AQSHF, Iris Elezi, së bashku me profesorin e nderuar Ardian Ndreca, do të hedhin dritë mbi këtë kohë të Shqipërisë. Drejtoresha e arkivit Iris Elezi shprehet se do të jetë një natë e paharrueshme për ata që do të ndjekin këtë film. “Rifillon cikli “Thesaret e Arkivit”, ju mirëpresim për një natë të paharrueshme, këtë të mërkurë, 13 shkurt, ora 19:00, në kinema “Agimi” me profesorin e nderuar Ardian Ndreca për projeksionin e dokumentarit “Në flakët e revolucionit” (1967), në 35mm me titra në anglisht”, shprehet drejtoresha Elezi. Në lidhje me filmin dokumentar Arkivi shkruan se viti 1967 ishte ndër më vendimtarët e diktaturës komuniste. “Udhëheqësi Enver Hoxha shpalli Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë dhe ndaloi të gjitha praktikat fetare. Pasi vuajtën për dy dekada, edhe ato pak kisha, xhami dhe teqe të mbetura u mbyllën ose u shndërruan në kinema apo qendra sportive. Priftërinjtë dhe imamët u vunë përballë gjyqeve publike. Duke kopjuar Revolucionin Kulturor Kinez, komunistët e rinj shkuan në të gjithë Shqipërinë që të shkatërronin ndërtesat fetare dhe të bindnin njerëzit të hiqnin dorë nga besimi i tyre. Gjatë kësaj fushate të dhunshme, katër murgj të moshuar vdiqën kur u dogj Kuvendi Françeskan i Shkodrës. Për këto ngjarje të rëndësishme u prodhua një dokumentar kontroversial i titulluar “Në flakët e revolucionit” ( 1967)”, thuhet në materialin e AQSHF. 

    Kineastët: Filmi është dokument dhe histori

     Për kienastët ky program që po zhvillon AQSHF ka rëndësinë e tij. Regjisori Mevlan Shanaj shprehet se është ndër detyrat dhe misionin e kinematekave (në këtë rast arkivit) të jetë në shfaqje të pa ndërprera për shikuesit me fondin klasik që disponojnë. “Sigurisht organizimi i shfaqjeve me fondin kombëtar padyshim duhet të ketë përparësi, pa mënjanuar edhe krijime botërore. Shfaqje të kësaj natyre kryejnë një ndër misionet më kryesore atë të përhapjes dhe ruajtjes së kujtesës së imazhit për vazhdimësi në gjenerata të ndryshme. Pasi filmi është përveç tjerash dokument dhe histori. Është sikur të shkosh në Arkivin e Shtetit dhe të kërkosh materiale që janë të hapura për studim. Filmi është ndër  dokumentet më kryesore të informimit jetëgjatë”, shprehet regjisori Mevlan Shanaj (Mjeshtër i Madh). Për regjisorin Skënder Jaçe AQSHF ka sjellë një program, që përcjell disa filma nga krijimtaria e para ‘90 dhe është mirë që brezi i ri të ketë mundësinë të njihet me të kaluarën tonë. “Për ne që jemi në këtë profesion e kemi parë dhe stërparë këtë arkiv. Por për brezin e ri besoj se është mirë ti ndjekin, të njihen me të kaluarën e vendit tonë, me punën e kineastëve tanë, me ndryshimet që ka pësuar vendi që nga ajo kohë. Nuk e di se sa do ndiqet, jam pak skeptik për këtë lloj kulture aq me shumë dhe natyrisht ka një kosto. Por le të shpresojmë”, shprehet Jaçe. Për regjisoren Eliona Thomaraj programe të tilla kanë rëndësi, sepse shpluhurosen arkivat dhe filmi transmetohet. “Është e një rëndësie të veçantë të shpluhurosen arkivat e filmit dhe të transmetohen sot botëkuptime dhe realizime të një epoke tjetër. Është themelore të kuptohet se histori kinemaje kemi që nga viti 1952, vit në cilin është ndërtuar Kinostudio”, vijon regjisorja Thomaraj. Pas këtij filmi dokumentar të 1967 në vijim do të jenë të tjerë filma pjesë e këtij cikli, që konsiderohen të rrallë nga AQSHF.  

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here