Qendra për Studimin dhe Qeverisjen ka publikuar raportin më të fundit sa i takon ecurisë së ngritjes së Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Në raport bëhet një bilanc i aplikimeve, ndërsa shqetësim shihet fakti se vetëm 3 nga 15 kandidatë për Prokurorinë e Posaçme kanë kaluar vetingun. “Pavarësisht se thuajse për të gjithë kandidatët të cilët kanë aplikuar në fazën e parë për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme ka filluar procesi i rivlerësimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), vetëm 3 prej tyre janë konfirmuar tashmë në detyrë, ndërkohë që gjatë periudhës në vijim pritet të publikohen datat e seancave dëgjimore për të kryer vlerësimin e
kandidatëve të tjerë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë do ti kërkojë KPK-së rivlerësimin me
përparësi për të gjithë kandidatët në Prokurorinë e Posaçme, të cilët presin ti nënshtrohen
vetting-ut. Konfirmimi në detyrë nga KPK për prokurorët, të cilët kanë shprehur interes për të qenë pjesë e PP, është një detyrim ligjor, të cilit do të duhet ti nënshtrohen të gjithë kandidatët. Në të njëjtën kohë detyrimi për tu konfirmuar në detyrë përbën një vlerësim të nevojshëm për
emërimin përfundimtar të kandidatit në këtë organ”, thuhet në raport. Më tej, bëhet e ditur se shumica e kandidatëve për Prokurorinë e Posaçme vijnë nga Krimet e Rënda dhe Prokuroria e Përgjithshme. Sipas raportit, KLP ka ende shpresë se do ketë emra që do shfaqin interes për SPAK. “Megjithatë gjatë ditëve vijuese të tjerë kandidatë prokurorë kanë aplikuar për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, duke e çuar numrin në 15. Pavarësisht mendimeve ndryshe për mos shtyrjen e aplikimeve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë me përfundimin e afatit 30 ditor (6 Shkurt 2019) vendosi me 10 vota pro dhe 1 kundër një shtyrje 2 javore kohore të aplikimeve për
Prokurorinë e Posaçme. Në funksion të rezultateve që solli faza e parë e aplikimeve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë gjykoi se gjatë fazës së dytë si rezultat edhe i aktiviteteve ndërgjegjësuese, pritet të shprehin interes për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme edhe prokurorë të tjerë potencialë. Afati i ri i aplikimeve është data 21 Shkurt 2019, duke sjellë tashmë shtyrjen e emërimit të prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme, e parashikuar të përfundonte brenda dy muajve nga krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por e cila sipas llogaritjeve do të sjellë krijimin e SPAK në Qershor 2019”, thuhet aty.









































