Pas arrestimeve të ndodhura në ministrinë e Drejtësisë, lidhur me abuzimet në tendera, ku në verifikim janë dhe dy ish-ministra ka reaguar sërish Ylli Manjani.
Ai ka thënë në KAPITAL në Vizion Plus se pret që e gjithë ngjarja të hetohet dhe personat përgjegjës, të vihen përpara përgjegjësisë.
“Për këtë çështje jam informuar si i gjithë publiku, përmes medias. Nuk di asnjë gjë zyrtare. Aq sa dini ju di edhe unë.
Deri tani nuk ka folur për këtë çështje sepse do dukej sikur ishte problem im. Ky nuk është problem im. Është një çështje e kotë, një histori e stisur.
Në cilën studio lajmesh të shkoj të jap shpjegime? Është një çmenduri, një stisje, për të treguar se të gjithë këtu janë njësoj.
Nuk e përjashtoj as qasjen se kjo që po ndodh mund të jetë sulm ndaj LSI. Kjo është një sindromë qe vjen nga shoqëria komuniste kur bëheshin gjyqe popullore.”, tha Manjani.
Ish ministri i drejtësisë ka folur edhe për protestën e opozitës. Sipas Manjanit i tubimi i 16 shkurtit nuk do të sjellë ndonjë ndryshim.








































