Kombëtarja kuqezi do të startojë në fund të muajit mars ndeshjet e veta eliminatore në kuadër të grupit I për finalet e Kampionatit Europian të vitit 2020. Në grup jemi me Francën, Islandën, Turqinë, Moldavinë dhe San Marinon. Shanset për një kualifikim në Europian janë të mira, pasi shkojnë direkt dy vendet e para në grup. E thënë ndryshe, kuqezinjtë duhet të mposhtin rivalë të tillë si Islanda dhe Turqia (pa përjashtuar Moldavinë) që të konkurrojnë me Francën në dy vendet e para në grup. gjithsesi, shanset ekzistojnë dhe trajneri Kristian Panuçi do ta shfrytëzojë këtë mundësi të fundit të tij në krye të përfaqësueses së Shqipërisë. Këtë herë nuk ka më justifikime për teknikun italian të Kombëtares, kështu që duhen rezultatet. Për të arriture më të mirën trajneri është vënë që tani në ndjekje të lojtarëve, duke gjurmuar kryesisht ata që janë në formë dhe po aktivizohen rregullisht me skuadrat e tyre. Lojtarët cilësorë si Roshi, Sadiku, Abrashi e ndonjë tjetër nuk janë ende në kapacitetin e tyre maksimal, por Panuçi shpreson që të jenë rikuperuar tërësisht deri në fund të marsit, kur luhet dueli i parë në grup, ai ndaj Turqisë. Një nga elementët që po spikat së fundmi si një superlojtar është Fiorin Durmishaj, i cili aktivizohet me Panioniosin në kampionatin grek. Talenti vlonjat po shënon rregullisht gola, jep asiste, ka peshën e liderit në skuadër dhe së fundmi i dha fitoren skuadrën së tij në duelin e madh në kupën e Greqisë kundër Paokut të Selanikut. Fiorin Durmishaj vazhdon të shkëlqejë në Greqi me fanellën e Panionios, duke u kthyer në një nga emrat më të lakuar në këtë vend. Ish-sulmuesi i Shpresave, i cili pritet të jetë mes emrave të ftuar nga Panuçi për ndeshjet e marsit në eliminatoret e Europianit, ka gjetur përsëri rrugën e rrjetës. Sulmuesi shqiptar, si zakonisht titullar, ka shënuar golin e barazimit në sfidën që skuadra e tij luajti ndaj ekipit që po dominon futbollin në Greqi, PAOK të Selanikut, duel i cili u mbyll me shifrat 2-1 për Panionios. PAOK shënoi i pari me Sviderskin në minutën e 58-të. Por në të minutën e 74-t erdhi edhe përgjigja e Durmishajt, i cili u tregua i aftë të gjendej në vendin e duhur pas pasimit të Ciulisit për të barazuar shifrat. Më pas, në shtesën e ndeshjes, Stavropulos shënoi golin e fitores për Panionios, duke mbajtur gjallë shpresat për kualifikimin e mëtejshëm në Kupë, e cila në këtë raund luhet me sistem vajtje-ardhje. Ky ishte goli i katërt në Kupë në këtë edicion për sulmuesin shqiptar, i cili ka gjetur 6 herë rrjetën në kampionatin grek në sezonin aktual me fanellën e Panionios. Duke pasur parasysh që Durmishaj është më shumë një mesfushor i avancuar sesa një sulmues i mirëfilltë, shifrat që ka realizuar e bëjnë atë mjaft produktiv për ekipin. Për më tepër, Fiorin Durmishaj ka shënuar gola me peshë në fitoret e skuadrës. Forma e mirë dhe golat mund të jenë mesazhi më i qartë për trajnerin e Kombëtares Kristian Panuçi, që ka nevojë për lojtarë të shpejtë, në formë dhe të qëndrueshëm për duelet e radhës të Kombëtares.
Kritika/ Ajeti në formacionin e dështakëve në Zvicër
Ndërkohë, nëse Durmishaj shkëlqen, ka të tjerë që zhgënjejnë. Kështu, java e fundit ka qenë për t’u harruar për Arlind Ajetit dhe skuadrën e tij, Grasshopers. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare zhgënjeu plotësisht në ndeshjen ndaj Bazelit dhe e la atë para kohe, duke u ndëshkuar me karton të kuq që në minutën e 26-të. Ai mori dy kartonë të verdhë brenda pak minutash dhe u desh të linte me 10 vetë ekipin e tij, që u mposht me rezultatin e thellë 4-0 e vazhdon të jetë në pozita të turbullta në klasifikim. Ndaj nuk ishte aspak çudi që emri i Ajetit të figurojë mes formacionit të dështimeve të javës nga e përditshmja zvicerane “Blick”. Por ai nuk ishte shqiptari i vetëm që u rreshtua në këtë formacion. Përkrah tij është vendosur edhe shoku i skuadrës, Meriton Kastrati, i cili debutoi në ndeshjen ndaj Bazelit. Ai është kritikuar për paraqitjen e tij si mbrojtës i djathtë në këtë duel, i kaluar vazhdimisht nga kundërshtarët e si rrjedhojë, i bën shoqëri Ajetit në formacionin më të keq të javës të përzgjedhur nga “Blick”.
Adriatik BALLA