Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka reaguar ditën e djeshme, pas akuzave të kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrimi, Monika Kryemadhi në adresë të saj. Paraditen e djeshme, duke folur në seancën plenare Kryemadhi akuzoi ministren Gjonaj se po keqpërdor institucionin duke sulmuar përfaqësuesit e LSI. Por pas kësaj deklarate të Kryemadhit, po nga foltorja e Kuvendit ministrja e Drejtësisë bëri me dije se sulmet e Kryemadhit janë shantazh i hapur ndaj saj, ndërsa theksoi se nuk e ka përdorur autoritetin e saj në sa i takon ngjarjes që pretendon kryetarja e LSI. “Përdorimi për shantazh nuk është e tolerueshme. Unë jam e gatshme për të debatuar për çdo gjë, dhe kush do është i lutur që ta bëj këtë debat. Nëse ka qenë shumë e përfolur ngjarja e fundit për një hetim në ministrinë e Drejtësisë, pas gjetjes së raportit e auditit të brendshëm, gjetjet i kanë kaluar Ministrisë së Financave ku është bërë një hetim më i thelluar dhe në fund ka vijuar sipas ligjit. Është Prokuroria është ajo që ka marrë në dorë këtë çështje dhe ka vënë para drejtësisë të akuzuarit. Unë nuk kam kapur asnjë prokuror që të kem diktuar procesin se nuk është në natyrën time që ta bëj këtë”, deklaroi ajo.
Po ashtu, Gjonaj deklaroi se bashkëshorti i saj nuk ka asnjë lidhje me Ervis Martinajn dhe bizneset e tij, ndërsa sqaroi se për shkarkimin nga detyra te Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ai kishte fituar gjyqin. “Nuk isha prezent sot në Kuvend se isha në një takim me ambasadorët ku raportova për zbatimin e reformës në drejtësi, kur dëgjova akuzat nga Kryemadhi, që ishin në formën e një shantazhi. Ndihem e keqardhur që këtu flitet për bashkëshortorin tim. Janë në të drejtën e tyre të zgjidhen dhe mënyrën që duan për të bërë opozitën. Këtu duhet të ekzistojë debati për qytetarët, por opozita bën shantazhe dhe sulme personale. Unë nuk jam këtu për t’u marrë që me familjarët apo për të treguar lidhje fare fisnore. Është e vërtetë që bashkëshorti im ka mbajtur një post dhe është larguar nga shërbimi civil me një vendim administrativ dhe ka ndjekur rrugën ligjore është kthyer në pozicionin që ka patur. Nuk ka pasur asnjëherë të vetme një akuzë për korrupsion dhe nuk është larguar nga detyra për këtë shkak, bashkëshorti im nuk ka qenë i lidhur as me banda dhe as subjekte të lojërave të fatit”, nënvizoi ditën e djeshme ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ndër të tjera në fjalën e saj.









































