Komedia “Testamenti i ri” vepër shkruar nga Sacha Guitri vjen për publikun premierë në fundjavë në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë. Me një kastë aktorësh të njohur të tetarit komedia vjen me regji nga Gëzim Kame. Provat për këtë komedi kanë nisur që vitin që lamë pas dhe mbrëmjet e datave 9 dhe 10 shkurt vepra premierë do të jetë në skenën e teatrit të Korçës. Në role vijnë Viktor Zhusti, Yllka Mujo, Guri Koço, Zamira Kita, Sotiraq Bratko, Kristan Koroveshi, Ilda Pepi dhe Lola Meta. Me regji nga Gëzim Kame dhe skenografia nga Bashkim Zahaj kjo vepër do të jetë dhe premiera e parë këtë vit në Korçë. Drejtoreshë e teatrit njëkohësisht dhe aktore në vepër Zamira Kita tregon se në skenë do të vijë premierë një komedi e veçantë, por me një temë aktuale. “Kjo vepër është përzgjedhur për në skenën e teatrit, sepse është një komedi shumë e veçantë dhe vjen premierë. Një komedi shumë e bukur, me humor situatash, karakteresh, është një temë aktuale që trajtohet në vepër. Tradhtinë në dashuri, tradhtinë në martesë, dhe se sa e rëndësishme është që nëse dy njerëz duhen të qëndrojnë bashkë. Por nëse ata dy njerëz nuk duhen asnjë ligj, asnjë princip, asnjë gjë nuk i detyron të qëndrojnë së bashku”, tregon Kita. Por edhe pse ngjarjet zhvillohen në shoqërinë franceze, sipas saj është një tematikë që i shkon për shtat çdo lloj marrëdhënieje edhe tek ne. “Ngjarjet e veprës mund të jenë dhe në ditët tona. Ato zhvillohen në një shoqëri franceze shumë të emancipuar, por që ne e kemi përshtatur edhe franceze por edhe në Korçë, sepse është një tematikë që i shkon për shtat çdo marrëdhënieje dashurore apo bashkëshortore edhe tek ne. Ideja dhe mesazhi është, që nëse dy njerëz nuk duhen ata nuk duhet të vazhdojnë të qëndrojnë së bashku, sepse ndryshe tradhtia i lëndon si njërin apo tjetrin. Një çift duhet të jetojnë bashkë kur duhet, por asgjë nuk i ndalon të ndahen kur ata nuk duhen. Nuk kanë pse të qëndrojnë bashkë dhe nuk kanë pse të shkelin këtë marrëdhënie bashkëshortore për të krijuar flirte apo lidhje paralele ndërkohë që mund të ndahen, që kjo është më e moralshme, më e mirë dhe më e shëndetshme”, vijon të tregojë më tej për komedinë Zamira Kita, aktore në vepër.
Bashkëpunimet për veprën
Me një kast aktorësh të njohur nga Tirana por dhe Korça kjo komedi vjen në vijim të sezonit artistik që ka nisur në teatrin “Andon Zako Çajupi”. Drejtoresha e teatrit Zamira Kita tregon se me regjisorin Gëzim Kame më parë kanë pasur bashkëpunime për vepra shqiptare në skenë. “Është hera e tretë, që ne bashkëpunojmë me regjisorin Gëzim Kame që ka punuar dhe dy vepra të tjera të autorëve shqiptarë në Korçë, dhe për ne është kënaqësi që i kemi bërë. Janë vepra të autorëve Teodor Laço dhe Kiço Blushi. Kemi pasur të ftuar aktorë nga Tirana si Roland Trebicka, Rajmonda Bulku, etj, por ky rikthim i Kames me një vepër franceze na bën që të kemi një tjetër lloj komedi këtë herë në skenën e teatrit, që sigurisht ka sharmin e humorit shumë fin dhe me elegancë, larg banaliteti dhe vulgaritetit”, tregon Kita për shfaqjen. Këtë herë e ftuar në shfaqje është aktorja Yllka Mujo, që rikthehet në Korçë për herë të dytë pas komedisë “Tetë femrat”, si dhe Viktor Zhusti që është për herë të parë në Korçë me një bashkëpunim teatror. Të dy këta aktorë me rolet kryesore vijnë si një nga çiftet e veprës “Testamenti i ri”. Zamira Kita dhe Guri Koço sërish vijnë si një nga çiftet në komedi, Sotiraq Bratko vjen si shërbëtori, Kristian Koroveshi në rolin e djalit dhe Ilda Pepi e Lola Meta në rolet e tjera. Si drejtoreshë e teatrit Zamira Kita shprehet se kjo komedi pritet të jetë pas Korçës edhe në Tiranë. “Ne shpresojmë që më vonë kjo shfaqje të vijë dhe në Tiranë. Por në planet tona të afërta në Tiranë do të vijë “Kopraci””, tregon Kita për shfaqjen.
Nga Julia Vrapi










































