Google search engine
Home Sport Rikthehet çështja “Hysaj”, Napoli zbret vlerën e klauzolës në 35 mln euro

Rikthehet çështja “Hysaj”, Napoli zbret vlerën e klauzolës në 35 mln euro

0
519

Merkato e dimrit u mbyll, por për mbrojtësin Elseid Hysaj shumë shpejt vjen ajo e verës. Dhe gjasat janë që në verë ai të largohet përfundimisht nga Napoli, sepse në kushtet e reja të krijuara pas ardhjes së trajnerit Karlo Ançeloti Hysaj nuk ka hapësirat e duhura dhe po sheh vazhdimisht nga stoli, gjë që syri i tij nuk e kishte provuar më parë. Dje mediat italiane kanë bërë një analizë të kujdesshme, duke pretenduar se kanë gjetur informacion që Hysaj do të largohet në verë nga Napoli madje me një klauzolë të ndryshuar. Kështu, sipas mediave italiane, largimi i Marek Hamshik në drejtim të Kinës, duket se i ka hapur rrugë edhe shumë largimeve të tjera nga napolitanët dhe do të synohet që për sezonin tjetër, të ndërtohet një skuadër e cila mund të konkurrojë denjësisht në Serinë A italiane. Fakti që shumë futbollistë po shohin mundësinë për t’u larguar, duket se nuk po e ndihmon Napolin për arritjen e objektivave. Hysaj ishte ndër më të kërkuarit në merkaton e janarit me Çelsin që po insistonte për shërbimet e tij. Vetë drejtuesit e Napolit nuk ishin të gatshëm ta linin për një shumë më pak se 50 milionë euro që është edhe klauzola e futbollistit. Mesa duket, gjithçka ka ndryshuar dhe Napoli është dorëzuar e së bashku me Hysajn, mund të largohet edhe Mertens. Ky i fundit kërkohet në Kinë gjithashtu dhe ditët në vijim mund t’i japë lamtumirën Napolit. Për të, napolitanët synojnë të paktën 25 milionë euro dhe nëse shitet për këtë shifër, atëherë edhe Hysaj do ta kishte më të lehtë largimin. Mediat italiane raportojnë se në rast të shitjes së Mertens, Napoli do të hiqte dorë nga Hysaj për një ofertë që arrin në 35 milionë euro.

Empoli, klubi që nxori Hysajn i “dashuruar” me shqiptarët

Në kampionatin italian është një numër i lartë futbollistësh shqiptar të cilët po kthehen në protagonistë te skuadrat e tyre dhe shpesh herë kanë qenë shembull për ekipet ku bëjnë pjesë. Lacio ka qenë skuadra e cila në vitet e fundit është dominuar nga shqiptarët, por nuk mbetet pas as Atalanta e Empoli. Pikërisht këta të fundit, duket se e ndjejnë veten me fat që fokusin më të madh e kanë te Shqipëria. Pak vite më parë, ishte Hysaj ai i cili hodhi hapin e madh në karrierë duke u larguar nga Empoli për të firmosur me Napolin dhe tashmë shihet si një nga më të mirët në Europë. Kështu, drejtuesit e Empolit vendosën t’i besonin shumë edhe Frederik Veselit i cili është titullar me skuadrën që këtë sezon luan në Serinë A. Por, sikur të mos mjaftonin këto dy futbollistë, tashmë të promovuar, në akademinë e Empolit është një tjetër shqiptar që po shkëlqen. “Kleis Bozhanaj shënoi një gol ndaj të rinjve të Napolit pak ditë më parë, duke bërë për vete të gjithë drejtuesit. Mediat italiane i kanë kushtuar një artikull këtyre futbollistëve, duke e konsideruar Empolin si skuadrën me fat që fokusohet te Shqipëria”, shkruajnë mediat sportive. Mbetet të shihet se cilët nga klubet italiane do të ndjekin gjurmët e Empolit në lidhje me futbollistët shqiptarë.

Grezda dhe Fejzullahi punojnë me ionat e Liverpulit

Dihet që sulmuesi i Kombëtares, Eros Grezda punon me një nga legjendat e futbollit botëror, Stiven Xherard. Ish-mesfushori i Liverpulit prej disa muajsh është trajner i Rejnxhërsit dhe po bën një punë të mirë në kampionatin skocez me skuadrën legjendare. Por, Grezda nuk është i vetmi futbollist që po punon me një legjendë të Liverpulit duke qenë se së fundmi edhe Arbnor Fejzullahu do të ketë një trajner të ri. Stefan Henshoz është trajneri i ri i Ksamksit në kampionatin zviceran, duke zënë në këtë mënyrë vendin e Mikel Dekastel që nuk po kalonte një moment të mirë. Stefan Henshoz ka luajtur me fanellën e Liverpulit përgjatë viteve 1999-05, duke bërë edhe 135 paraqitje me fanellën e “The Reds”, ndërkohë që ka qenë pjesë e Kombëtares zvicerane në vitet 1993-2006 duke bërë edhe 72 paraqitje. Së bashku me Fejzullahun, te Ksamaksi luajnë edhe të tjerë shqiptarë si Arbenit Xhemajli, Dilan Qela dhe Samir Ramizi.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here