Google search engine
Home Sport Kupa nuk ka surpriza, kalojnë të mëdha, Tirana kualifikohet me 10 vetë...

Kupa nuk ka surpriza, kalojnë të mëdha, Tirana kualifikohet me 10 vetë në Vlorë

0
542

Kupa e Shqipërisë nuk dhuroi surpriza, pasi në çerekfinale kalojnë skuadrat e mëdha të Superiores. Madje u përcaktuan dhe duelet çerekfinaliste sipas formulës së përcaktuar të garës. Padyshim, kryendeshja luhej në Vlorë, midis Flamurtarit dhe Tiranës. Dalja me karton të kuq e Grent Halilit në Vlorë në përballjen me Flamurtarin, bëri që Tirana të luante afro 75 minuta në kupë me 10 vetë. Bardheblutë humbën 1-0, por arritën të kualifikohen falë fitores në ndeshjen e parë. Pra Tiranën e suksesi 2-0 në “Selman Stërmasi” dy javë më parë dhe tani fiton të drejtën për të qëndruar në garë në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm në vend. Goli i brazilianit Cale në fillim të pjesës së dytë nuk mjaftoi për Flamurtarin, që në kohën shtesë pretendoi me forcë për 11-metërsh, por që nuk u vlerësua i tillë nga gjyqtari Alla. Asnjë problem për Kukësin, që fitoi 2-0 me Apoloninë me gola të Shkurtajt dhe Et’hemit. Laçi fitoi 3-0 me Bylisin, duke zhvlerësuar suksesin 2-0 të ballshiotëve në takimin e parë, ndërsa Teuta shkatërroi 4-0 Lushnjën. Në Grupin A Partizani kompletoi kualifikimin me goleadë, duke fituar 3-0 me Kastriotin, Skënderbeu iu imponua 3-0 Besëlidhjes, ndërsa Luftëtari u mjaftua me barazimin 0-0 me Egnatian për të vijuar më tej. Fitore e madhe 1-0 e Kamzës me Vllazninë, duke nxjerrë jashtë garës kuqeblutë, falë golit në fushën kundërshtare.

Mema: Tiranës i duhet të përmirësojë lojën

Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, është shprehur pas ndeshjes ndaj Flamurtarit se skuadra e tij ka mundësi të përmirësohet dhe më shumë në javët në vijim, por ai nuk e fshehu se i gëzohet kualifikimit. Ndërkohë që pranon se e ka forcën për të përballuar edhe Kukësin në kampionat. “Duhet të shikojmë që mos të kemi këto problemet e fillimit që kishim sot. Duhet të përmirësohemi në këtë aspekt”, theksoi Mema. Më pas ai komentoi edhe kartonin e kuq që mori sulmuesi Grent Halili, djali i presidentit të skuadrës, Refik Halili. Grenti nuk është një njeri i tillë, ai është person i dashur. Të gjithë e njohim. Ishte i karikuar dhe kaq, nuk besoj se do të ndodhë më një gjë e tillë”, shtoi Mema. Pas këtij kualifikimi ka vend për optimizëm dhe këtë e pranon edhe vetë trajneri Mema. “Krijohet një klimë shumë e mirë dhe është një vazhdë shumë e mirë. Mua më takon detyra që të shohim gabimet që ka pasur sot. Ekipi duhet të shohë lart, që të mos kthehen problemet që kishim në të kaluarën. Sfida e ardhshme me Kukësin? Mendoj që kjo periudhë ka pasur shumë ndeshje të forta. Lojtarët kanë pasur shumë tension. Mendoj që duhet të shohim shumë qëndrimin dhe të riparojmë për ndeshjen me Kukësin. E kemi forcën që të përballojmë ndeshjen me Kukësin, pasi rikthehen disa lojtarë, si Hasani, Kërçiku”, u shpreh Mema.

Daja shpërthen pas ndeshjes” Arbitrat e bënë baltë

Trajneri i Flamurtarit, Ilir Daja, u shfaq i revoltuar pas ndeshjes me Tiranën, duke thënë se arbitrat e kishin bërë baltë takimin. “Nuk jam i zhgënjyer nga rezultati pasi është pjesë e futbollit. U munduam të hyjmë në ritëm, por kishte shumë ndërprerje. U bën 6 ndërrime dhe 35 ndërprerje të ndeshjes, ndërsa minuta shtesë u dhanë shumë pak. Nuk jam kundër Tiranës, pasi unë jam më ‘tirons’ se ju (gazetarët). Jam në të mirë të futbollit, por me këtë menaxhim nga ana e arbitrave po shkojmë mbrapa. Kemi luajtur 2 ndeshje në 3 ditë dhe shikojeni çfarë kanë bërë arbitrat. Do të vazhdojmë të shkojmë para, nuk thashë që ka klane, pasi të gjithë janë në mbështetje të Flamurtarit”, tha Daja.

Përcaktohen çiftet çerekfinaliste të Kupës

Janë përcaktuar tashmë çiftet çerekfinaliste të Kupës së Shqipërisë, ku më i favorizuari duket Partizani, që do të përplaset me Luftëtarin. Edhe Skënderbeu ka një short të mirë, pasi do të përballet me Kamzën, ndërsa dy çiftet e tjera premtojnë një rivalitet shumë të fortë. Kështu Teuta do të ndeshet me Kukësin, ndërsa Tirana me Laçin, një ekip ekspert i në përballjet e Kupës. Takimet e vajtjes do të luhen më 13 mars, ndërsa ndeshjet e kthimit dy javë më pas, pikërisht më 27 mars.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here