Procesi i vetingut në radhët e policisë pritet të nisë javën e ardhshme. Një gjë të tillë e bëri të ditur dje përfaqësuesja e Ministrisë së Brendshme, Aida Shehi, e cila është njëkohësisht edhe kryetare e Bordit Përzgjedhës të Kualifikimit. Edhe pse ligji për të vetuar policët u votua që në shkurt të vitit të kaluar, akoma nuk është bërë asgjë për këtë proces. Pak kohë më parë u ngrit nënkomisioni parlamentar, i cili do të monitorojë procesin e vetingut në radhët e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave. Pas dy mbledhjeve të mëparshme, ditën e djeshme ky nënkomision, i drejtuar nga Ermonela Felaj u mblodh sërish për tu informuar mbi ecurinë e procesit të vetingut të policëve. E pranishme në mbledhje për të raportuar ishte Aida Shehi. Gjatë fjalës së saj, Shehi deklaroi se ngritja e Bordit të Përzgjedhjes është një etapë e përfunduar, ndërsa tani po punohet edhe me ngritjen e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit dhe Sekretariatit Teknik. Ajo zbuloi edhe emrat e pesë anëtarëve të Bordit të Përzgjedhjes, ndërsa u shpreh se për pak ditë do të nisë edhe vlerësimi i policëve nga Komisioni i Jashtëm. “Ministria e Brendshme ka marrë masat për ngritjen e strukturave, duke ngritur së pari Bordin e Përzgjedhjes, ku duhet të ketë përfaqësues nga Ministria e Brendshme, që në këtë rast jam unë; nga SHISH është Gjergji Semani, nga Avokati i Popullit është Fatbardha Zenelaj, nga Komisioni për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është Ardita Shehaj, ndërsa përfaqësuese nga Komisioni për Mbrojtjen nga Diskriminimi është Ardiana Hala. Tani po vijohet me punën për ngritjen e Komisionit të Jashtëm dhe Sekretariatit Teknik. Pas shpalljeve, 52 persona aplikuan për Komisionin e Jashtëm, ndërsa 54 të tjerë për Sekretariatin Teknik. Janë marrë të gjitha masat për shpërblimin e punonjësve dhe anën logjistike dhe presim që brenda kësaj jave të niset nga puna”, deklaroi Aida Shehi.
Monitorimi nga ndërkombëtarët
Interesant është fakti që i gjithë procesi i vetingut në polici do të monitorohet nga ndërkombëtarët. Një fakt të tillë e bëri të ditur kryetarja e Bordit të Përzgjedhjes, Aida Shehi, e cila gjatë mbledhjes së nënkomisionit parlamentar të vetingut në polici, tha se PAMECA dhe ICITAP do të kryejnë edhe trajnime me anëtarët e Komisionit të Jashtëm dhe Sekretariatit Teknik. “Ministria e Brendshme dhe ndërkombëtarët kanë hartuar module për të kryer trajnime për këto struktura pas konstituimit të këtyre organeve. Janë marrë masa edhe për të filluar punën për sa i përket ambienteve dhe pajisjet që do të nevojiten për ushtrimin e detyrës dhe kryerjen e procesit. Vetë Komisioni i Jashtëm, pas ngritjes, do të përcaktojë një rregullore për ecurinë e mëtejshme. Janë plotësuar pozicionet për anëtarët e Komisionit të Jashtëm dhe Sekretariatit Teknik, po kryhen edhe disa verifikime të vogla, por çdo gjë është gati. U vijua edhe me marrjen e masave për anën logjistike dhe tani na mbetet të presim që brenda kësaj jave të nisë puna. Në momentin që do të fillojë puna, do të ketë edhe trajnime nga PAMECA dhe ICITAP, ndërkombëtarët do të japin një kontribut të madh”, theksoi Aida Shehi. Javën e ardhshme pritet që të dalin të parët para Komisionit të Jashtëm 296 drejtues të policisë me grada madhore duke nisur me drejtorin e përgjithshëm dhe drejtorët e qarqeve dhe komisariateve përkatëse.
Mimoza Ibra










































