Përplasjet mes Qeverisë dhe Presidencës nuk e kanë prekur akoma fundin. Prej disa kohësh nga selitë respektive kanë dalë vetëm akuza dhe sulme të vazhdueshme, ndërsa debati nisi që me kthimin mbrapsht të dekretit për të emëruar Sandër Lleshajn ministër të Brendshëm. Marrëdhëniet u tensionuan akoma më shumë kur u diskutua për ministrin e ri të Jashtëm, Gent Caka, ndërsa presidenti Ilir Meta i hodhi “benzinë zjarrit” sërish tri ditë më parë kur u pozicionua kundër projektit të Unazës së Madhe dhe kërkoi anulimin e tij. Por në horizont duket një tjetër çështje që do të shkaktojë përplasjen e radhës mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta. Shkarkimi i komandantit të Forcës Detare shqiptare, gjeneralit Ylber Dogjani është në dorë të kreut të shtetit. Por burimet i thanë gazetës se Meta e ka “ngrirë” shkarkimin e tij, duke nxitur debatin e radhës. Dy ditë më parë, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka i propozoi presidentit shkarkimin e Dogjanit, duke marrë shkas nga vjedhjet që ndodhën pak kohë më parë në bazën e Pashalimanit. Sipas Xhaçkës, Dogjani ka qenë përgjegjës për gjithë linjën e drejtim-komandimit në Forcën Detare dhe Bazën e Pashalimanit. Mirëpo sipas informacioneve të gazetës, Meta ka vendosur që momentalisht të mos marrë asnjë vendim për kërkesën e Xhaçkës, por të kryejë kërkime paralele për ngjarjen në Pashaliman.
Vonesat në vendim
Ilir Meta ka kërkuar të bëhet një verifikim i plotë për rolin e gjeneralit në vjedhjen e ndodhur pak ditë më parë. Në bazë të informacionit të mbledhur, ai do të arrijë në konkluzionin nëse ka patur apo jo rol administrativ gjenerali Ylber Dogjani në këtë ngjarje. Nëse për Metën Dogjani nuk është përgjegjës për ngjarjen e ndodhur, atëherë nuk përjashtohet mundësia që ai ta refuzojë kërkesën e ministres Xhaçka për shkarkimin e tij. Por teksa mbetet të pritet vendimmarrja e presidentit, e sigurt është që verdikti i tij do të vonojë, duke shkuar kështu në një përplasje të re mes Qeverisë dhe Presidencës. Mirëpo në një kohë mes dy palëve pritet të nxehen akoma më shumë, Meta do ta vonojë vendimin për Ylber Dogjanin edhe për shkak se gjatë këtyre ditëve ai është i angazhuar në një aktivitet disa-ditor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo gjë do ta vonojë akoma më shumë shkarkimin e tij, duke rindezur klimën konfliktuale mes Qeverisë dhe Presidencës.
Vjedhja në Pashaliman
Në fillim të këtij viti, u grabitën një arsenal armësh si dhe municione luftarake nga baza ushtarake e Pashalimanit në Vlorë. 24 orë pas kësaj ngjarjeje të rëndë u arrestuan dy rojet dhe dy përgjegjësit e bazës ushtarake. Ata akuzohen për “Shpërdorim detyre” dhe “Dëmtim të aseteve ushtarake”. Ushtarakët e arrestuar për ngjarjen janë; Lesko Ramosaçaj 52 vjeç e Edlir Nelaj, 42 vjeç, përgjegjës; Ervis Memsulaj, 23 vjeç dhe Ardit Ramaj, 25 vjeç roje. Grabitja ndodhi në orët e para të 11 janarit. Roja nuk ishte në vendin e qëndrimit që ishte përcaktuar dhe deklaroi në sallë se u largua për shkak të shiut dhe erës së fortë. Kurse përgjegjësit akuzohen se nuk kontrolluan rojet gjatë shërbimit dhe hartimin e procesverbalit pa qenë prezent.
Mimoza Ibra


































