Ambasada amerikane ka reaguar për operacionin ‘Rruga e Gabuar’ ku u vunë në prana 32 persona për trafik klandestinësh drejt SHBA dhe Kanadasë, mes të cilëve 1 punonjës policie, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas të tjerë. Në një postim në rrjetet sociale ajo ka përgëzuar Policinë e Shtetit dhe zyrën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për suksesin e operacionit. Reagimi “Ambasada e Shteteve të Bashkuara përgëzon Policinë e Shtetit dhe zyrën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për suksesin e operacionit “Rruga e Gabuar” të shtunën e kaluar, i cili solli arrestimin e 32 qytetarëve shqiptarë të përfshirë në kalimin e paligjshëm të njerëzve përtej kufirit dhe prodhimin e dokumentave të falsifikuara. Përfshirja e Shërbimit të Sigursë Diplomatike (DSS), dega e zbatimit të ligjit e Departamentit të Shtetit, tregoi mbështetjen tonë për luftën ndaj rrjeteve ndërkombëtare të krimit të organizuar. Shërbimi i Sigurisë Diplomatike është i angazhuar për të bashkëpunuar për hetimet penale me Policinë e Shtetit dhe zyrën e Prokurorisë, me qëllim shkatërrimin dhe çmontimin e këtyre rrjeteve”.








































