Mazhoranca ka vendosur të rishikojë ligjin për “Kadastrën”, i cili parashikon bashkimin e tre institucioneve, përkatësisht Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencisë së Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike dhe ALUIZNI-t. Dje Komisioni i Ligjeve vendosi të pranojë dekretin e presidentit Ilir Meta, i cili e ktheu ligjin për rishqyrtim në Kuvend, ndonëse deputetët e mazhorancës u shprehën se pjesa më e madhe e argumenteve të kreut të shtetit nuk qëndrojnë. Ka qenë deputetja e PS, Klotilda Bushka, e cila në cilësinë e relatores së ligjit kundërshtoi pretendimet e Metës, ndërsa theksoi se do ndryshohen vetëm disa nene të veçanta të tij, që kanë lidhje me afatet e hyrjes në fuqi të ligjit. “Duhen bërë rregullime në dispozitat kalimtare. Propozojmë miratimin e dekretit të presidentit dhe të bëjmë ndryshime në disa nene të ligjit”, deklaroi Bushka. Ndërsa më pas Komisioni Ligjeve miratoi me votat e mazhorancës dhe opozitës dekretin e presidentit për “Kadastrën”. Por edhe pse u duk sikur pati dakordësi, kjo për faktin se të dy palët bashkuan votat, në mbledhjen e djeshme nuk munguan debatet. Fillimisht, ka qenë deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, i cili akuzoi mazhorancën se me anë të këtij ligji synon të grabisë pronën e qytetarëve. Sipas tij, Presidenti ka të drejtë. “Po detyrohet Presidenti i Republikës ti thotë Parlamentit ndal se ka probleme me Kushtetutën në mënyrë të vazhdueshme dhe ju thotë thërrisni mendjes, shiheni dhe njëherë atë ligjin. Me këtë iu synonin të grabisni pronën e qytetarëve. Ky është një nga dekretet më të mira që kam parë deri më sot”, deklaroi ai. Por në replikë me kolegun e tij Bylykbashi, deputeti i PS, Bashkim Fino akuzoi opozitën se po përdor politikisht Presidentin. “Presidenti është i të gjithëve. Ju po e përdorni politikisht një president që është i të gjithë shqiptarëve. Ju shqetësoheni kot edhe për Presidentin. Nëse pranojmë dhe themi se pranojmë dekretin dhe mund të bëjmë disa rregullime, nuk ka asgjë të keqe”, deklaroi Fino. Më pas debatet kanë vijuar, pasi opozita ka kërkuar kohë për t’u njohur me ndryshimet e ligjit, teksa mazhoranca e i la vetëm 30 minuta kohë. Por opozita nuk pranoi dhe në shenjë revolte la sallën. Në përfundim, deputetët e Partisë Socialiste miratuan të vetëm ndryshimet nen për nen dhe votuan ligjin e ri në tërësi, duke e dërguar atë për votim në Parlament.
Parashikimet në relacion
Gazeta disponon relacionin në të cilin bëhet e ditur se mazhoranca ka pranuar rishikimin e 22 neneve, të cilët i referohen ligjit për përfundimin e Proceseve Kalimtare të Pronës, i cili nuk ka hyrë ende në fuqi, pasi data e parë skadoi, ndërkohë që la të paprekura ndryshimet e tjera të propozuara nga zyra e presidentit. “Kthimi për shqyrtim i ligjit “Për kadastrën” me dekretin nr.11055, datë 15.01.2019 të Presidentit të RSH, solli një situatë të re në lidhje me hyrjen në fuqi të ligjit, (Ligji parashikonte të hynte në fuqi në 01.02.2019, afat tashmë i skaduar). Nisur nga kjo situatë lind nevoja e rregullimeve përkatëse, sa i takon afatit të hyrjes në fuqi të ligjit si dhe dispozitave tranzitore. Përveç sa më sipër, projektligji “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” nuk u miratua në datën e planifikuar nga Kuvendi, me qëllim saktësimin e disa problematikave që deputetë të Kuvendit hasin në zonat e tyre, për të siguruar adresimin e tyre në ligj. Në këtë aspekt, vlerësohet i nevojshëm propozimi i disa ndryshimeve në disa dispozita të ligjit”, thuhet në relacion.
Rigels Seliman











































