Kristiano Ronaldo pak ditë më parë pranoi kushtet e gjykatës në Spanjë për të shlyer një shumë të madhe parash për t’i shpëtuar burgut dhe bëhet fjalë për 19 milionë euro. Në të kundërt ylli portugez i Juventusit, ish-sulmues i Realit të Madridit gjatë kohës që akuzohej, mund të përfundonte në burg, sepse një vendim i mëparshëm gjykate e kishte shpallur atë fajtor për mosdeklarimin e të ardhurave që vinin si fitim nga imazhi dhe e kishte dënuar me dy vjet burg. Por nuk është vetëm Ronaldo, pasi edhe një tjetër portugez është përfshirë në këtë skandal, pora në fshehjen e të ardhurave dhe gjykata në Spanjë e ka gjetur fajtor. Bëhet fjalë për ish-trajnerin Hoze Murinjo, i cili është dënuar me një vit burg por gjykata ka pranuar që këtë masë dënimi Murinjo ta shlyejë me gjobë. Kështu, mediat spanjolle shkruajnë se trajneri portugez Hoze Murinjo rrezikonte dënimin më një vit burg dhe 2 milionë euro gjobë për evazion fiskal. The “Special One” akuzohet se u ka fshehur autoriteteve tatimore të ardhurat e imazhit në vitin 2011 dhe 2012, ne vlerën e 3.3 milionë eurove dhe këtë e ka bërë nëpërmjet shfrytëzimit të disa kompanive të ndryshme spanjolle. Detajet e marrëveshjes së arritur mes 56-vjeçarit dhe autoriteteve tatimore në Spanjë, këtë të martë, në Madrid, flasin se tashmë dënimi me një vit burg është konvertuar me një gjobë prej 182.500 eurosh, krahas gjobës prej 2 milionë eurosh. Trajneri i suksesshëm, por aktualisht pa një klub, Murinjo duhet të rimbursojë njëherazi edhe dëmin e shkaktuar në vlerën e 3.3 milionëve.
Në muajin korrik ai pati paguar një shifër prej 462.000 eurosh nga vlera e 3.3 milionëve, ndërkohë që i mbetet edhe shifra 2.84 milionë euro për të mbyllur dëmin e shkaktuar nga evazioni fiskal e që do të mbyllë kështu çështjen e tij me shtetin spanjoll. Një numër i madh lojtarësh, mes tyre dhe Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo, janë akuzuar nga autoritetet tatimore për evazion. Duket sikur është kthyer në një sindromë e viteve të fundit, por të gjithë “i kanë larë hesapet” e tyre me autoritet përkatëse. Ndërkohë, një tjetër incident pati trajneri portugez gjatë një reklamimi të ndeshjeve të hokeji në akull në Rusi. Në fakt mediat bëjnë ironi dhe thonë se Murinjon nuk e mbajnë më këmbët. Edhe pse po qëndronte mbi një tapet të kuq në një fushë akulli në Rusi, ku ishte fituar për të hedhur topin e parë në fushë në një ndeshje hokeji, tekniku humbi ekuilibrin sepse rrëshqiti. Portugezi, në momentin që do të tërhiqet nga fusha, u rrëzua sërish, duke bërë që lojtarët të linin topin dhe ta ndihmonin të ngrihej, ndërkohë që të pranishmit në sallën e mbyllur ia nisën të qeshnin, e të nxirrnin celularët për ta regjistruar. E vërteta është se Murinjo ka mbajtur një profil të ulët që pas shkarkimit nga Mançester Junajtid në dhjetor, ndaj duket se ka zgjedhur të merret me fushata promocionale, për të nxjerrë “bukën e gojës”. Murinjo po pret një mundësi tjetër trajnimi, por asgjë nuk zbulohet, sepse gojën ja ka “lidhur” marrëveshja e largimit nga Junajtid, nga e cila ai përfitoi 18 mln euro.
Adriatik BALLA