Demokratët kanë vijuar dje me protestat në rrethe për t’i paraprirë tubimit të 16 shkurtit. Qytetarët e mbështetur nga opozita janë bashkuar duke bërë thirrje kundër qeverisë, ndërsa e akuzojnë atë si shkaktaren kryesore të varfërisë, rritjes së çmimeve, falimentimeve të biznesit dhe largimit të rinjve nga Shqipëria. Ata kanë bllokuar rrugën dhe qarkullimin e automjeteve për rreth një orë. Me thirrjet “Rama ik” dhe “Policia e Krimit” protestuesit kanë bllokuar superstradën Lezhë-Fushë Krujë në Milot,në të dy anët e kësaj rruge ndërsa i bëjnë thirrje qeverisë të drejtojë më shumë vëmendjen tek problemet e tyre. Ndërkohë protesta janë zhvilluar ditën e djeshme edhe në Bulqizë ku mbështetësit e opozitës, dolën për t’i paraprirë protestës së madhe të opozitës e cila pritet të kulmojë me 16 shkurt në kryeqytet. Minatorët e Bulqizës dhe qytetarët e kësaj bashkie, kanë protestuar në qendër të qytetit duke akuzuar qeverinë se i ka braktisur ata. Ndërkohë ankesat e tyre janë mes të tjerash: Kushtet e mjera të punës, pagat e ulta dhe mosdhënia e statusit.
Basha thirrje për protestë
Nga ana tjetër, kreu demokrat Lulzim Basha ka vijuar takimet për sensibilizimin e qytetarëve, duke u ndalur fillimisht në Krujë. Lulzim Basha u ka bërë thirrje qytetarëve të Krujës, të bashkohen në protestën e 16 shkurtit, ashtu si 500 vjet më parë kur luftonin osmanët. Ai u shpreh se duhet të ngrihen për të marrë në dorë fatet e tyre, duke shtuar se kanë një kauzë të drejtë për të protestuar. Basha deklaroi se qeveria është produkt i krimit dhe votave të vjedhura, fakt që e thotë e gjithë bota. “500 vjet më parë një vend i vogël i qëndroi fuqisë më të madhe ushtarake në botë. Pse, sepse ishin të bashkuar, sot ka ardhur koha të çohemi sepse ne kemi kauzën e drejtë. Ne do ta kthejmë Shqipërinë në binarët europianë. Ka ardhur koha të merrni në dorë fatin tuaj. Kjo është thirrja, kjo është ftesa. Asnjë qeveri e asnjë parlament nuk është sovran i këtij vendi. Nuk e thotë vetëm opozita, tani po e thotë bota se Edi Rama dhe qeveria e tij janë produkt i krimit dhe jo votës së shqiptarëve. Zgjidhja e opozitës është qeveri kalimtare. Ngrihuni në këmbë jepini dorën njeri-tjetrit dhe ejani në Tiranë të marshoni”, tha ai. Basha ka deklaruar dje se 1/3 e krutanëve është larguar për faj të keqqeverisjes së kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, Kruja nuk është një qytet ku është investuar për zhvillimin e sezoneve turistike. Basha deklaroi se Kruja hyn tek qytetet me numrin më të madh të familjeve në nevojë, pikërisht për shkak të vjedhjes që u ka bërë Rama përmes taksave. “Edi Rama ka vjedhur 2 miliard euro taksa të shqiptarëve duke lënë 45% të familjeve me të ardhura nën 5 mijë lek të vjetra. Edi Rama ju ka marrë ju 2 miliard euro më shumë. Ky që do të ulte taksat për 97% të shqiptarëve. Ai i ka marrë këto taksa duke rritur çmimin e energjisë, çmimin e naftës, taksat, a i ktheu ato? Në investime dhe shërbime? Ai ka bërë masakër me të pamundurit. Kruja hyn në numrin më të madh të familjeve në nevojë. Ka hequr qindra familje, 23 mijë me statistika në të gjithë Shqipërinë, por në fakt është dyfish. Ata jetojnë sipas BE-së, 45% e familjeve shqiptare jetojnë me më pak se 5 mijë lekë të vjetra në ditë. Ku jemi këtu në xhungël? 2 miliard taksa të parave tuaja ju e dini përse nuk kanë ardhur për spitale e shkolla, sepse këto para i ka vjedhur Edi Rama me bandën e tij të hajdutëve në qeveri dhe me oligarkët”, u shpreh ai. Por gjatë takimeve elektorale PD dhe LSI janë të ndara, pasi në të gjitha aktivitetet e Bashës kanë qenë vetëm mbështetësit e PD dhe asnjë nga të LSI.
Elisjeda Kiko









































