NATO i ka kushtuar një dokumentar bazës ajrore që do të ngrihet së shpejti në Kuçovë. Para pak ditësh Tiranën e vizitoi gjenerali Tod Wolters, vizita e të cilit shënoi edhe fillimin e punimeve për bazën. Por ditën e djeshme kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale një dokumentar të NATO për bazën në Kuçovë. Pjesë e këtij dokumentari janë reagime të ndryshme, qoftë nga presidenti a kryeministri, ashtu edhe nga gjenerali Tod Wolters. Dokumentari nis me një përshkrim të pamjes momentale të bazës.
“Një varrezë aeroplanësh MiG ndodhet në Shqipëri. Mig 15, 17 dhe 19 nuk përdoren më. Aeroplanët i përkasin kohës së regjimit komunist shqiptar. Vendndodhja e tyre është baza ajrore e Kuçovës. Në Kuçovë ka pasur gjithnjë e më pak aktivitet me kalimin e viteve. NATO ka rënë dakord të investojë 51 milionë euro për të modernizuar bazën e Kuçovës”, thuhet në dokumentar. Ai vijon më tej reagimin e Tod Wolter, i cili tregon se për të ngritur bazën e NATO u zgjodh Shqipëria sepse është një vend me rëndësi kritike në Ballkan. “Afërsia me rajonin lidhur me të gjithë kontinentin europian. Kur i hedh një sy rajonit të Adriatikut, kur shikon krahun jugor të kontinentit europian, është e rëndësishme paqja dhe prosperiteti. Për këtë arsye, Shqipëria në Ballkan, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, bëhet një vend me rëndësi kritike”, deklaroi ai. Reagimi i radhës është nga presidenti Ilir Meta, për të cilin ngritja e bazës së NATO është një hap shumë i rëndësishëm. “Modernizimi i bazës ajrore të Kuçovës është shumë i rëndësishëm. Tregon se Aleanca është shumë aktive në të gjithë rajonin tonë. Kjo tregon gjithashtu se Shqipëria është një anëtar i besueshëm i NATO-s. E gatshme të marrë përsipër më shumë përgjegjësi në të mirë të paqes dhe sigurisë në të gjithë rajonin”, shprehet Meta gjatë dokumentarit të NATO. Ndërsa për kryeministrin Edi Rama, një vendim i tillë do t’i japë Kuçovës një burim të ri energjie. “Të qenit pjesë e NATO-s, i jep vendit një burim të ri energjie për të ecur përpara dhe kjo është absolutisht ajo që na bën të ndihemi me kaq fat të jemi pjesë e kësaj organizate”, tha Edi Rama. Në dokumentarin e NATO theksohet edhe kontributi që Shqipëria ka dhënë për shumëfishimin e misioneve të NATO.