Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se janë të shqetësuara sa i takon situatës politike të cilën po kalon vendi, ku mazhoranca dhe opozita nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët për një sërë çështjesh, siç janë miratimi i një sërë reformash. Për këtë arsye, ditën e djeshme ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka zhvilluar një takim pune me të ngarkuarën për punë të SHBA-ve në Tiranë, Leyla Moses-Ones. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Spiropali, e cili përmes një statusi në rrjetet sociale, shprehet se theksi i këtij takimi të veçantë u vendos tek rëndësia që ka vendosja e një dialogu konstruktiv mes opozitës dhe mazhorancës, si standard për thellim të reformave integruese.
“Një takim tejet i veçantë, me të Ngarkuarën për Punë a.i. të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Leyla Moses-Ones, e cila theksoi rëndësinë që ka vendosja e një dialogu konstruktiv mes opozitës dhe mazhorancës, si standard për thellim të reformave integruese, si dhe garantoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara kundrejt çdo sfide me të cilën mund të përballet Shqipëria”, deklaroi ditën e djeshme ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ndër të tjera në statusin e saj. Kujtojmë që zëvëndësambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Leyla Moses Ones është një zë i fuqishëm, e cila mbështet reformën në drejtësi në Shqipëri. Teksa ishte duke folur pak ditë më parë në ceremoninë e diplomimit të magjistratëve të rinj, zv/ambasadorja ka bërë një deklaratë shumë të fortë, duke e bërë të qartë se SHBA do të bëjë gjithçka për ngritjen e SPAK e BKH. Madje, zonja Moses Ones vuri në dukje faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosur për mbështetur institucionet ligj-zbatuese në vend, në mënyrë që vendi të pastrohet njëherë e mirë nga të korruptuarit. “Do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet për të ngritur SPAK-un dhe BKH-në. Këto institucione do të forcojnë kapacitetin e Shqipërisë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. SPAK dhe BKH përfaqësojnë epokën e re të daljes nga e shkuara e njollosur prej korrupsionit dhe përfaqësojnë llogaridhënien e re për popullin shqiptar. Ne jemi shumë krenarë t’i mbështesim që të dyja këto institucione”, deklaroi zëvëndësambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Leyla Moses Ones.










































