Pas apelit të bërë nga ambasadori i BE, kreu i Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi, ka rënë dakord me kalimin e pragut prej 75 kandidatësh për Shkollën e Magjistraturës. Megjithatë ai tha dje se jo që të gjithë ata që konkurrojnë duhet të futen në këtë shkollë. “Ta kalojnë këtë prag por jo aq sa konkurrojnë sepse është e pamundur. Por që të kalojnë 75 në analizën që bëjmë ne si shkollë, duhet të ketë shumë konkurrentë. Ka dhe një studim i përgjithshëm që bëhet nga ana jonë. Përgjithësisht rreth 25% e studentëve kalojnë, por varet dhe nga brezat, momenti. I keni të gjitha mundësitë që ky testim që zhvillohet në shkollë t’ju mirëpresë dhe tu bëjë që të ndiheni mirë”, tha ai. Deklaratat Sadushi i bëri dje gjatë takimit me konkurrentët e ardhshëm për testimin që do të zhvillojë Shkolla e Magjistraturës në muajin prill. Sadushi deklaroi se të futesh në Shkollën e Magjistraturës është përgjegjshmëri e madhe.
“Pozicioni që ka magjistrati është përgjegjësi shumë e madhe, ata që do të jenë fitues. Të jesh magjistrat është përgjegjshmëri shumë e madhe, e shikoni situatën në drejtësi, të gjithë i kanë sytë nga shkolla. Por duke pasur sytë nga shkolla, i kanë nga ju. Është një prag që duhet kapërcyer por që sjell shumë kufizime që lidhen me profesionin e magjistratit. Programi i pranimit është ai që keni parë në ueb. Jemi të detyruar të rishikojmë fondin e pyetjeve. Ju nuk jeni studentë që sapo jeni diplomuar, por jeni juristë që punoni në sektorë të ndryshëm të drejtësisë”, tha ai. Kreu i Shkollës së Magjistraturës u bëri me dije kandidatëve se këtë vit programi i shkollës është më i reduktuar dhe i ftoi të aplikojnë për të tre kriteret. Për të konkurruar në Magjistraturë juristët duhet të kenë mbaruar Juridikun me notë mesatare mbi 8 për gjyqtar e prokuror dhe mbi 7 për ndihmës ligjor, si dhe të kenë 3 vite eksperiencë punë si juristë apo avokatë. Kandidatët i nënshtrohen testeve me shkrim dhe me gojë dhe fituesit duhet të ndjekin për 3 vite magjistraturën për të qenë prokuror apo gjyqtar i ardhshëm. Tre ditë më parë, ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca kërkoi nga Shkolla e Magjistraturës që të pranojë më shumë se 75 kandidatë në mënyrë që të përshpejtohet procesi i reformës në drejtësi.










































