Google search engine
Home Aktualitet Rinis mësimi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Këshilli Studentorë kërkesë Dekanatit

Rinis mësimi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Këshilli Studentorë kërkesë Dekanatit

0
516

Fakulteti i Shkencave të Natyrës po zhvillon mësim normalisht që javën e dytë të janarit dhe viti akademik do të përfundojë në kohë. Zëvendësdekania e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Eglantina Kalluçi tha dje se mësimi rifilloi pas një kërkese që Këshilli Studentor i dërgoi dekanatit të fakultetit për një takim me stafin akademik. Ajo tha se u zhvillua një mbledhje në dekanat mbi kërkesat e studentëve, për të analizuar se cilat kërkesa mund të përmbushen nga dekani dhe cilat kërkesa mund të përcillen në instancat më të larta. Kalluçi u shpreh se janë bërë kontrolle të vazhdueshme, dhe mësimi zhvillohet i plotë në të gjitha programet e studimit.

“Në këtë mbledhje adresuam një listë kërkesash të ndryshme edhe nga 8 pikat nga Këshilli Studentor. Ne bëmë një mbledhje në dekanat për të diferencuar se cilat kërkesa mund të realizoheshin në dekanat dhe cilat mund të përcillen në instancat më të larta. Kemi bërë kontrolle të vazhdueshme dhe krye sekretarja e degës mësimore garanton se mësimi zhvillohet në të gjithë programet e mësimit 100%”, u shpreh Eglantina Kalluçi. Por këtë fakt e pohojnë edhe studentët, të cilët u shprehën se mësimi ka vijuar normalisht dhe nuk ka pasur mungesa. Ata shprehen se do e përfundojnë vitin akademik në kohën e duhur, duke zëvendësuar edhe orët që kanë humbur gjatë kohës që kanë bojkotuar mësimin. Ndërkohë procesi mësimor po zhvillohet normalisht në Fakultetin e Ekonomikut, Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Fakultetin e Mjekësisë, Fakultetin Politeknik, Inxhinierisë dhe Drejtësisë. Por edhe universitetet në rrethe i janë rikthyer prej kohësh auditorëve, përveç Universitetit “Luigj Gurakuqi”, në të cilin kanë bllokuar dje hyrjen për të mos lejuar pjesën tjetër të studentëve për të zhvilluar normalisht mësim, në fakultetin e Drejtësisë dhe Ekonomikut. Studentët shprehen se zgjodhën që t’i rikthehen auditorëve. Ato kanë deklaruar se 20 studentët e ngujuar nuk i përfaqësojnë dhe po përdoren nga politika. Në fakultetet e tjera po vijon procesi mësimor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here