Shembulli i arrestimeve “VIP” në Kroaci duket se do të vijë edhe në Tiranë. Më datë 7 shkurt mbyllen aplikimet për SPAK dhe brenda pranverës struktura që do të hetojë pushtetarët e korruptuar do të jetë gati. SPAK u krijua në bazë të simotrës së saj kroate USKOK (Njësia për Parandalimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Kroaci). Kjo strukturë solli atje arrestimin e qindra zyrtarëve dhe anëtarësoi Kroacinë në Bashkimin Europian. Por edhe Struktura e Posaçme në Tiranë, duket se do të ndjekë të njëjtën rrugë. Dje ka mbërritur në vendin tonë Tamara Laptos, ish-kryetarja e USKOK dhe një prej prokuroreve më të famshme të saj. Zonja Lapos është një ndër prokuroret që hetoi ish-kryeministrin Ivo Sander dhe falë hetimeve të zhvilluara prej saj, ai u dënua me rreth 8 vite burg. Laptos është sjellë në Tiranë nga misioni EURALIUS, në kuadër të masave që po merren për ngritjen e SPAK. Ajo do të jetë eksperte e EURALIUS-it për dy vite në Shqipëri dhe do asistojë SPAK për hetimin e pushtetarëve.
Mesazhi për të korruptuarit
Dje është mbajtur një aktivitet, ku kanë marrë pjesë dhjetra prokurorë, mes tyre dhe ata që kanë aplikuar për SPAK, ku është folur për luftën ndaj korrupsionit. Tamara Laptos ka ndarë me të pranishmit eksperiencën e saj, duke dhënë ide dhe përvojë mbi mënyrën se si duhet të luftohet korrupsioni në nivele të larta. Ajo tha se duhet jo vetëm ndjekje penale, por konfiskim i aseteve të përfituara nga krimi i organizuar dhe korrupsioni. “Kur unë po hetoja ish-kryeministrin, besueshmëria e publikut nuk ishte shumë e lartë sepse ai ishte i fuqishëm dhe arrogant. Ne vinim nga një eksperiencë në të cilën nuk ishte hetuar ekzekutivi, por më pas u mblodhën prova dhe gjatë procesit besueshmëria e publikut u rrit”, ka thënë Laptos. Qëllimi i takimit dje ishte për të inspiruar gjyqtarët e prokurorët të aplikojnë për SPAK, por dhe për t’u dërguar një mesazh të korruptuarve se shembulli kroat po afron. Fakti që prokurorja që arrestoi Sanader do qëndrojë në Tiranë për dy vite, dëshmon se edhe në vendin tonë mund të ketë ish-kryeministra, ish-ministra apo deputetët që do përfundojnë pas hekurave me ngritjen e SPAK.
Shembulli kroat
Njësia për Parandalimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Kroaci (USKOK) është krijuar në vitin 2002 duke pasur nën juridiksion gjithë territorin e Kroacisë. Në mënyrë që të ishte sa më efektive në vitin 2010 krijuan një polici specifike – Zyra Kombëtare e Policisë për Parandalimin e Korrupsionit dhe Krimit të organizuar në Kroaci (PNUSKOK). Këtë rol te ne do e kryejë Byroja Kombëtare e Hetimit. Kjo është vijuar me krijimin e departamenteve të veçantë të USKOK për të gjykuar raste të USKOK, në të katër gjykatat më të mëdha të Kroacisë- Zagreb, Osijek, Rijeka dhe Split. Aktiviteti i USKOK përgjatë viteve është karakterizuar nga suksesi dhe efiçenca. Gjatë viteve 2007 – 2014 janë kryer mijëra hetime dhe 3454 persona janë akuzuar, dhe janë dërguar përpara gjykatës 3098 persona, 2915 prej të cilëve janë dënuar. Lidhur më krimin e organizuar, USKOK ka ndërmarrë veprimtari të shumta ndaj grupeve të krimit të organizuar dhe organizatave kriminale të përfshira në trafikimin e qenieve njerëzore, kontrabandë ndaj emigrantëve, trafikimi i armëve në vende të BE-së, heroinës kokainës nga vende të Amerikës së Jugut, kontrabandimi i cigareve, pijeve alkoolike etj. Lidhur me aferat korruptive, USKOK ka ndërmarrë një sërë veprimesh për hetimin e të gjithë formave të korrupsionit duke aplikuar “Tolerancë Zero” kundër çdo lloj korrupsioni. Zyrtarë të nivelit lartë janë akuzuar dhe dënuar përfshirë ish- kryeministrin e Kroacisë, dy zëvendës ministra, ministri i Brendshëm, ambasadori i Kroacisë në Kombet e Bashkuara (OKB), Gjeneralë të Ushtrisë Kroate si dhe zyrtarë të lartë të Agjencisë së Sigurimit dhe Shërbimeve Inteligjente. Janë hetuar gjithashtu dhe disa kryetarë bashkish, prefektë, kryetarë komunash, zyrtarë të lartë të tatim-taksave, profesorë universitetesh të Kroacisë si dhe disa gjyqtarë. Pra dje janë dhënë sinjale të qartë se ky shembull po troket dhe në vendin tonë.
Kliti Topalli










































