Google search engine
Home Aktualitet EURALIUS rrëzon Ilir Metën, del kundër bllokimit të ligjit të noterisë, mesazh...

EURALIUS rrëzon Ilir Metën, del kundër bllokimit të ligjit të noterisë, mesazh presidentit të mos pengojë reformën në drejtësi

0
407

Ndërkombëtarët i kanë dhënë ditën e djeshme një tjetër goditje presidentit Ilir Meta, sa i takon zbatimit të reformës në drejtësi. Pak ditë më parë kreu i shtetit ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për “Noterinë”. Por kjo gjë nuk është pëlqyer aspak nga misioni EURALIUS. Ky ligj është hartuar në kuadër të reformës në drejtësi dhe dje Bashkimi Europian i ka dhënë një mesazh të qartë Metës se nuk duhet të ndërmarrë asnjë akt që cenon reformën në drejtësi. Duke folur në Komisionin e Ligjeve, shefja e misionit EURALIUS, Agnes Bernhard deklaroi se presidenti nuk duhet ta kthente ligjin dhe se duhet ta lexonte objektivisht, pasi sipas është vjen në kuadër të reformës në drejtësi. Dhe për të argumentuar qëndrimin e saj, zonja Agnes i kujtoi kreut të shtetit se projektligji është në përputhje me standardet evropiane dhe bën balancën e duhur proporcionale të interesave dhe elementëve të ndryshëm. “Presidenti duhet ta lexonte më objektivisht projektligjin, papara se ta kthente në Kuvend. Ligji për noterët është hartuar në kuadër të reformës në drejtësi dhe fut në shina këtë profesion, pasi i monitoron rreptësisht, duke filluar nga pastrimi i parave deri tek burokracitë e tjera. Ne si BE kemi punuar shumë për këtë. Dispozita të tilla gjenden dhe në vende të tjera të BE. Ligji është në përputhje me standardet europiane. Për ne, neni i cili merret me uljen e tarifave noteriale për grupe të caktuara në nevojë është i tillë që bën balancën e duhur ndërmjet aksesit në drejtësi të publikut dhe rolit të noterit”, deklaroi Bernhard.

PS dhe Dhoma e Noterisë kundër Metës

Kundër presidentit Ilir Meta dje u rreshtuan edhe deputetët e mazhorancës në Komisionin e Ligjeve. Gjatë fjalës së saj, relatorja e ligjit, deputetja Vasilika Hysi deklaroi se argumentet e Metës nuk qëndrojnë. “Shqetësimi që ngre presidenti se ligji nuk përcakton rregulla, se kush do ti detajojë, se çfarë do ndodhë me arkivën, se me çfarë vule e mjeti identifikimi do punojë noteri nuk qëndrojnë, sepse janë të përshkruara në mënyrë të detajuar në nenin 66, 67 dhe në nenin e fundit në dispozitat kalimtare”, deklaroi Hysi. Po ashtu, kundër Metës u rreshtua edhe vetë Dhoma e Noterisë, duke rrëzuar pretendimet e tij. “Ligji i parashikon të gjitha rastet e pezullimeve, parashikon rastet e administrimit të zyrës noteriale dhe gjithashtu. Nuk jemi dakord me propozimet e Presidentit”, deklaroi kryetarja e Dhomës së Avokatisë.

Opozita pro presidentit

Në Komisionin e Ligjeve, Presidenti Ilir Meta u mbrojt nga këshilltari i tij ligjor, Bledar Dervishi, i cili deklaroi se Meta ka të drejtë. “Ligji cenon Kushtetutën dhe se nuk garanton një kosto të barabartë mes noterëve gjatë veprimtarisë së tyre”, deklaroi ai. Por në mbrojtje të Metës dje u rreshtua edhe opozita. Fillimisht, ishte deputetja e LSI, Silva Caka, e cila deklaroi se Meta ka të drejtë, ndërsa theksoi se ligji është klientelist. “Presidenti ka të drejtë. Kthehet në ligj partiak me gjithë spiunet tuaj dhe ligj klientelist, do e përcaktoni ju kush e merr tenderin”, deklaroi Caka. Ndërsa deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj jo vetëm që doli hapur në mbrojtje të qëndrimit të Metës, por hodhi edhe akuza kundër reformës në drejtësi. “Reforma në drejtësi ka rënë dhe është kapur nga mazhoranca. Ky palo shtet shton përditë e më tepër procedurat administrative, për një dokument krejt banal duhet të shkosh te noteri. Këto janë arsye të forta për ta marrë seriozisht zilen që i ka rënë Presidenti i Republikës, pasi ky po bën edhe Gjykatën Kushtetuese. Presidenti ka të drejtë”, deklaroi ai. Në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni votoi me shumicë votash rrëzimin e dekretit të Presidentit të Republikës.

Somario

Ligji për noterët është hartuar në kuadër të reformës në drejtësi dhe fut në shina këtë profesion, pasi i monitoron rreptësisht, duke filluar nga pastrimi i parave deri tek burokracitë e tjera. Ne si Bashkim Europian kemi punuar shumë për ketë. Dispozita të tilla gjenden dhe në vende të tjera të BE. Ligji është në përputhje me standardet europiane…

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here